Mitrovica e Veriut vazhdon lirimin e hapësirave publike për rend urban dhe siguri të shtuar

Inspektorati komunal në Mitrovicë të Veriut ka vazhduar me zbatimin e aktiviteteve për lirimin e hapësirave publike, në funksion të përmirësimit të rendit urban dhe rritjes së sigurisë për këmbësorët.

Në një njoftim zyrtar, autoritetet komunale kanë falënderuar qytetarët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e treguar gjatë këtyre aksioneve duke e cilësuar mbështetjen e tyre si thelbësore për suksesin e iniciativës.

Aksioni për lirimin e hapësirave publike do të vazhdojë edhe në periudhën në vijim, ndërsa komuna u ka bërë thirrje të gjithë shfrytëzuesve të hapësirave publike që të paraqiten me kohë në Drejtorinë për Urbanizëm, për të marrë lejet përkatëse të shfrytëzimit.

“Së bashku ndërtojmë një qytet funksional, të rregulluar dhe të qasshëm për të gjithë,” thuhet në njoftim duke theksuar përkushtimin për një mjedis urban më të sigurt dhe të sistemuar për të gjithë banorët. /Kosova.info/


Go to TOP