Ministri Murati takoi Cumming-in, njoftoi për prioritetet e qeverisë

Ministri Murati priti në takim, Fergus Cumming, Zëvendës Shefi për Ekonomi në Zyrën për Zhvillim dhe Punë të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar (FCDO).

Gjatë takimit ministri Murati e njoftoi Fergus Cumming, zëvendës-shefin për Ekonomi në Zyrën për Zhvillim dhe Punë të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar (FCDO), për disa nga prioritetet e qeverisë, siç janë rritja e punësimit dhe krijimi i kushteve për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. Rritja ekonomike si dhe thjeshtimi i procedurave tatimore në vitet e fundit u konsideruan si tregues për përshtatshmërinë e Kosovës në tërheqjen e investimeve të huaja direkte.

Përmes një njoftimi për medie bëhet e ditur se temë qendrore e takimit ishte thellimi i ndërveprimit ekonomik mes dy vendeve, ku u përmendën disa sektorë potencialë për investime përfshirë minierat, kapacitetet e reja energjetike, teknologjinë e informacionit si dhe industrinë e përpunimit të drurit.

“Zëvendës Shefi Cumming e vlerësoi potencialin e Kosovës për bashkëpunim të ndërsjellë, duke theksuar nevojën për rritje të tregtisë dypalëshe. Ndër të tjera, Cumming premtoi vazhdim të mbështetjes së Republikës së Kosovës drejt një zhvillimi gjithëpërfshirës ekonomik”, thuhet në njoftim.

Tutje bëhet e ditur se të dyja palët u dakorduan për thellimin e bashkëpunimit në fusha të cilat janë në interes të qytetarëve të Kosovës, dhe për rritje të vëllimit tregtar në mes të dyja vendeve. /Kosova.info/

Go to TOP