Ministri i Jashtëm i Tanzanisë vizitë zyrtare treditore në Kosovë me ftesë të Behgjet Pacollit
Ministri i Punëve të Jashtme të Tanzanisë, Ekselenca e Tij Ambasador Mahmoud Thabit Kombo, ka nisur sot një vizitë zyrtare treditore në Republikën e Kosovës, me ftesë të ish-Presidentit dhe ish-Ministrit të Jashtëm të Kosovës, Behgjet Pacolli.
Pacolli, i cili e cilëson Kombo-n si mik personal dhe një aleat të palëkundur të Kosovës në arenën ndërkombëtare, theksoi kontributin e tij të çmuar në përballjen me fushatat agresive të Serbisë për të tërhequr njohjet e pavarësisë së Kosovës.
“Kam pasur kënaqësinë ta shoqëroj Ministrin Kombo gjatë vizitave të tij nëpër Evropë dhe jam shumë mirënjohës që ai ka pranuar të vizitojë edhe Kosovën,” u shpreh Pacolli në një postim publik. Ai shtoi se kjo vizitë përfaqëson një hap të rëndësishëm në thellimin e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kosovës dhe Tanzanisë.
Vizita e ministrit Kombo pritet të përfshijë takime me udhëheqësit më të lartë institucionalë të vendit, si dhe aktivitete që synojnë forcimin e bashkëpunimit bilateral në fushat e diplomacisë, arsimit dhe zhvillimit ekonomik.
“Mirë se vjen, miku im Mahmoud!”, përfundon mesazhin e tij Pacolli duke nënvizuar miqësinë dhe respektin e ndërsjellë ndërmjet dy shteteve. /Kosova.info/
