Miftaraj kritikon vendimin e KQZ-së: Në emër të patriotizmit po dëmtohet Kushtetuta dhe besimi i aleatëve

Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për moscertifikimin e Listës Serbe duke theksuar se një veprim i tillë cenon Kushtetutën e Kosovës dhe raportet me aleatët ndërkombëtarë.

Miftaraj tha se patriotizëm i vërtetë është respektimi i Kushtetutës dhe i parimeve demokratike që përfaqëson Republika e Kosovës, si dhe ruajtja e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian.

“Sot Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkuan të zbatohet Kushtetuta e Kosovës, ligji për zgjedhjet dhe organizimi i zgjedhjeve në mënyrë demokratike. Sot KQZ, përmes partive politike, shkelen mbi kërkesën e SHBA-së për poena politike duke luajtur kartën e patriotizmit dhe duke shkelur Kushtetutën dhe ligjet e aplikueshme,” shkroi ai.

Miftaraj theksoi se sipas Kushtetutës, ligjeve të Kosovës dhe opinioneve të Komisionit të Venecias, një parti politike mund të përjashtohet nga zgjedhjet vetëm me vendim gjyqësor, dhe jo me një vendim administrativ.

“Një subjekt politik që është i regjistruar sipas ligjeve të Kosovës, qoftë edhe Lista Serbe që punon ditë e natë kundër interesave të Republikës së Kosovës, nuk mund t’i kufizohet e drejta e certifikimit për pjesëmarrje në zgjedhje me vendim administrativ,” theksoi ai.

Miftaraj paralajmëroi se këto veprime, në emër të patriotizmit, dëmtojnë rëndë bazat e shtetit të Kosovës, demokracinë dhe raportet me aleatët ndërkombëtarë. “Me këto veprime po dërgoni ujë në mulli të gabuar,” përfundoi ai. /Kosova.info/


Go to TOP