Meteorologu amerikan shpërthen në lot teksa raporton për fuqinë e uraganit “Milton”
Ndërsa uragani Milton i afrohet Floridës, ka shkaktuar ndërprerje të mëdha në shërbimet ajrore, duke çuar në anulimin e mbi 700 fluturimeve dhe nxitjen e evakuimeve masive të banorëve. Intensiteti i stuhisë është bërë një çështje shqetësuese, me meteorologun John Morales që u prek emocionalisht gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë, ndërsa përshkruante shkatërrimin që mund të sjellë Milton.
Morales, duke vëzhguar imazhet satelitore të rrugës së uraganit, u emocionua dhe kërkoi ndjesë ndaj shikuesve. “Kërkoj falje – është thjesht përtej imagjinatës,” tha ai.
Uragani Milton, i cilësuar si “jashtëzakonisht i rrezikshëm” nga ekspertët, pritet të godasë Floridën nga e mërkura deri të enjten, me autoritetet që paralajmërojnë se kjo mund të jetë “stuhia më e fuqishme” që ka prekur gadishullin në një shekull. Për këtë arsye, autoritetet kanë shtuar urgjencën e thirrjeve për evakuim të menjëhershëm.
“I gjithë gadishulli i Floridës është nën një lloj paralajmërimi ose alarmi,” tha guvernatori Ron DeSantis të martën. Presidenti Joe Biden u bëri thirrje qytetarëve të largohen pa vonesë, duke e përshkruar situatën si “çështje jete a vdekjeje.”
Raportet nga mediat amerikane tregojnë se kaosi ka përfshirë Floridën pas thirrjeve për evakuim të menjëhershëm, me dhjetëra mijëra banorë që janë bllokuar në trafik në përpjekje për t’u larguar. Të martën pasdite, Milton u rrit në një stuhi të kategorisë 5 me erëra që arrinin deri në 165 mph.
