Mërgata rikthen fuqishëm LDK-në në krye: Abdixhiku falënderon mërgatën, Ahmeti flet për rizgjim politik e Rexhaj për ringjallje të degëve jashtë vendit
Me 30,25% të votave të mërgatës, LDK arrin rezultatin më të mirë që nga pavarësia; Sylë Ahmeti e quan kthesë shpresëdhënëse në skenën politike, ndërsa Sali Rexhaj thekson se partitë po ringjallin aktivitetin në mërgatë pas viteve të heshtjes
Abdixhiku: Ju faleminderit mërgatë

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka falënderuar mërgatën për mbështetjen e fuqishme në zgjedhjet e fundit, ku Lidhja Demokratike ka dalë forca e parë me 30,25% të votave të diasporës.
“Ju kujtohet zhurma e madhe para disa muajve rreth mbështetjes për LDK-në nga mërgata? Ja ku jemi sërish, tetë muaj pas, mërgata foli prapë dhe foli qartë! LDK del e para me votat nga jashtë! Plot 30,25%, nga gati 30 mijë votues nga jashtë i kanë dhënë mbështetje LDK-së; duke rikonfirmuar edhe një herë se puna e vazhdueshme dhe lidhja e drejtë që kemi mbysin secilën zhurmë,” ka deklaruar Abdixhiku.
Ai ka theksuar se ky është rezultati më i mirë lokal që LDK merr nga mërgata që nga viti 2008 duke i falënderuar 8,903 votuesit që e mbështetën partinë.
“Ky rezultat është dëshmi e besimit të madh që mërgimtarët tanë kanë ndaj vlerave, vizionit dhe politikës sonë të përgjegjshme. Është tregues se besimi mbytë zhurmën, ideali e zhbën propagandën, e Lidhja i qëndron kohës,” ka shtuar ai.
Ahmeti: Rizgjimi i diasporës po ndryshon skenën politike

Gazetari dhe analisti politik Sylë Ahmeti ka vlerësuar se vota e diasporës po shënon një kthesë domethënëse në politikën kosovare.
“Rizgjimi i diasporës shqiptare-kosovare është një lajm i mirë dhe shpresëdhënës. Ajo jo vetëm që përfaqëson një potencial të madh votuesish, por ka edhe një ndikim interferues për rirreshtimin e votës brenda vendit. Nga ky ripozicionim mund të përfitojë më së shumti LDK, nëse i kthehet reformave të brendshme dhe frymës rugoviane, nga e cila është devijuar për një kohë të gjatë,” ka deklaruar Ahmeti për Kosova.info.
Rexhaj: Partitë e ringjallën mërgatën pas viteve të heshtjes

Aktivisti i çështjes kombëtare që jeton në Zvicër, Sali Rexhaj, ka komentuar gjithashtu këtë prirje të re të mërgatës në proceset zgjedhore.
“Pas 17 shkurtit 2008, partitë politike vendosën ta shuajnë aktivitetin në mërgatë, dhe kjo zgjati deri sa Vetëvendosje e shfrytëzoi këtë boshllëk duke hapur degë dhe marrë shumë vota nga jashtë. Tani, në vitet e fundit, edhe LDK, PDK e AAK i kanë ringjallur degët dhe kemi këtë situatë të re pozitive,” ka theksuar Rexhaj për Kosova.info.
Ndryshe, rezultatet e fundit të votave nga jashtë dëshmojnë rikthimin e fuqishëm të LDK-së në diasporë, një bazë e cila historikisht ka luajtur rol kyç në mbështetjen e zhvillimeve politike dhe demokratike në Kosovë. Rezultatet pritet të kenë ndikim edhe në dinamikën e përgjithshme të skenës politike në vend. /Kosova.info/
