Memorandum bashkëpunimi për trajtimin e kafshëve endacake: Fakulteti i Bujqësisë dhe i Veterinarisë bashkon forcat me “Prishtina Dog Shelter”
Dekani i Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë, Prof. Arben Musliu, ka nënshkruar sot një Memorandum Mirëkuptimi me z. Mentor Gashi, përfaqësues i strehimores ‘‘Prishtina Dog Shelter’’, në një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të mirëqenies së kafshëve endacake dhe avancimit të edukimit praktik të studentëve.
Ky bashkëpunim parasheh një sërë veprimesh konkrete, përfshirë trajnimin praktik të studentëve të veterinarisë, angazhimin në sterilizimin dhe trajtimin mjekësor të kafshëve endacake, ofrimin e këshillimit profesional për stafin e strehimores, si dhe promovimin e një qasjeje humane ndaj kafshëve në komunitet.
“Ky Memorandum përfaqëson përkushtimin tonë të përbashkët për kujdesin ndaj kafshëve dhe formimin cilësor të brezave të rinj të veterinerëve”, deklaroi Prof. Musliu pas nënshkrimit.
Bashkëpunimi synon jo vetëm të përmirësojë kushtet për kafshët endacake në rajonin e Prishtinës, por edhe të fuqizojë komponentën praktike të arsimit universitar duke sjellë një model shembullor të ndërveprimit ndërmjet institucioneve arsimore dhe shoqërisë civile. /Kosova.info/
