Memli Krasniqi uron 23 vjetorin e themelimit të PDK-së: Krenarë me liderët tanë historikë Hashim Thaçin e Kadri Veselin

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi përmes një video ka uruar 23 vjetorin e themelimit të kësaj partie, duke thënë se PDK është forca që ka ndjekur dhe ka jetësuar ëndrrat për Kosovën.

Krasniqi ka rikujtuar se PDK u ka prirë proceseve të lirisë, pavarësisë dhe shtetndërtimit.

“Themeluesit dhe udhëheqësit tanë historikë, në luftën për liri dhe pavarësi, bashkë me popullin, realizuan ëndrrën shekullore të shumë brezave. Po! PDK punoi fort e pa ndalë për ndërtimin e shtetit dhe për mirëqenien qytetare. Unë dhe të gjithë ne në Partinë Demokratike të Kosovës jemi shumë krenarë që jemi pjesë e kësaj familjeje të madhe politike”, tha lideri i PDK-së.

Krasniqi theksoi se tani PDK është e gatshme për të krijuar kushtet për një shoqëri të drejtë për të gjithë, ku të rinjtë do të gjejnë perspektivë në Kosovë. Ai është zotuar se PDK do të ofroj një alternativë qeverisëse për të gjithë, pa dallim.

Postimi i plotë:

Sot bëhen 23 vjet nga themelimi i Partisë Demokratike të Kosovës.

Urime secilit anëtar e aktivist dhe faleminderit nga zemra për angazhimin e përbashkët përgjatë viteve në jetësimin e ëndrrave të Kosovës.

Historia jonë është një tregim i madh për atdheun, nga lufta për liri e pavarësi e deri te punët e mëdha që i kemi bërë në çdo drejtim për ngritjen e mirëqenies së qytetarëve.

Jemi shumë krenarë me atë çfarë kemi bërë për Kosovën dhe jemi shumë krenarë me liderët tanë historikë, Hashim Thaçin e Kadri Veselin.

Ndjekja e ëndrrave për vendin tonë dhe mosdorëzimi para sfidave janë vetitë tona dalluese.

Tani është koha për beteja të reja, për një Kosovë të re, për të ardhme më të mirë. Ne jemi përherë gati! 

Go to TOP