Mbi dy orë takim: S’ka marrëveshje për dalje nga bllokada në Kuvend
Krerët e partive politike në Kosovë nuk kanë arritur marrëveshje për dalje nga bllokada për konstituim të Kuvendit, as pas një takimi të shtunën që ka zgjatur mbi dy orë.
Takimin e ka thirrur kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), partisë që ka fituar më së shumti vota në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Palët janë takuar pasi Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka shpallur një aktvendim të enjten që i detyron deputetët të finalizojnë procesin e konstituimit më së largu deri më 26 korrik.
Deputetët e legjislaturës së re i kanë mbajtur 38 seanca prej 15 prillit, në tentim për të konstituuar Kuvendin, por nuk kanë pasur sukses.
Kuvendi vazhdon të mos jetë plotësisht i konstituuar pasi partitë politike nuk kanë arritur pajtueshmëri për emrin e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje për pozitën e kryeparlamentarit, si dhe për ndryshimin e mënyrës së votimit nga të hapur në të fshehtë.
Kjo e fundit, pra mënyra e ndryshimit të votimit, për partitë që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë, është veprim i papranueshëm dhe jokushtetues.
Në një situatë të këtillë, deputetët pritet të mblidhen sërish të dielën për ta vazhduar seancën e 38-të, që të premten është lënë në gjysmë, me idenë se takimi i së shtunës do të ndryshojë situatën.
Abdixhiku akuzon Kurtin për krizë politike: Takimi ishte farsë, VV po kushtëzon procesin
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka akuzuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, se po mban të pandryshuara qëndrimet e mëhershme të Lëvizjes Vetëvendosje dhe po e thellon krizën politike në vend përmes kërkesës për votim të fshehtë në Kuvend.
Pas takimit të liderëve të partive politike me Kurtin, Abdixhiku e cilësoi atë si një “farsë publike” duke theksuar se Vetëvendosje ka shfaqur mungesë të vullnetit për konsensus dhe respektim të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.
“I gjithë ky takim ishte një farsë publike. Qëndrimet e deputetit Kurti ishin të njëjta si më parë duke refuzuar të respektojë dhe interpretojë drejt vendimin e Kushtetueses. Përgjegjësia për krijimin e shumicës i takon zotit Kurti sipas paragrafit 130 të aktvendimit. Ai pranoi se nuk ka shumicë, por kërkoi kushtëzime: ose të votohet fshehtë, ose të rrëzohet votimi i fshehtë që të zgjidhet zonja Haxhiu”, deklaroi Abdixhiku.
Ai nënvizoi se LDK ka shprehur gatishmëri për një zgjidhje konsensuale që do t’u jepte deputetëve të drejtën të votojnë lirisht për kandidatët, por theksoi se insistimi i VV-së për votim të fshehtë përbën pengesë dhe shkelje të Kushtetutës.
“Nuk mund të marrim pjesë në shkeljen e Kushtetutës pas aktgjykimit të Kushtetueses. Ata propozojnë të votohet komisioni, pastaj të rrëzohet vetëm që të votohet Albulena. Merreni me mend çfarë logjike! Kjo është një lojë politike dhe manipulim me procesin”, shtoi ai.
Abdixhiku paralajmëroi se vendi mund të përballet me pasiguri institucionale pas përfundimit të afatit 30-ditor të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese për përmbylljen e seancës konstituive të legjislaturës së re të Kuvendit të Kosovës.
“Pas 30 ditëve do të futemi në një gjendje të paqartë historike për Kosovën dhe do të duhej një interpretim i ri. LDK shpreson në një ndërhyrje të Presidentes për të zhbllokuar situatën. Marrëveshja politike dhe konsensusi janë ende të panjohura për zotin Kurti”, përfundoi Abdixhiku.
Kryetari i LDK-së deklaroi para gazetarëve se mos respektimi i aktgjykimit të Kushtetueses për LDK-në është hap i parë në përmbysjen e rendit kushtetues.
Gjykata Kushtetuese ka vendosur të enjten që seanca konstituive e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës duhet të përfundojë jo më larg se tridhjetë ditë.
Kurti: PDK dhe LDK po e keqlexojnë aktgjykimin e Kushtetueses
Në anën tjetër, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti e ka quajtur takimin e së shtunës “konsultativ” dhe obligim të të gjithë deputetëve që janë betuar dhe e kanë marrë mandatin.
Ai e ka pranuar që partia e tij ka përgjegjësi për formim të Qeverisë, por ka insistuar që për Kuvendin, përgjegjësia u takon të gjitha partive politike.
Kurti ka thënë se ka lëvizur në qëndrime, duke përmendur se ka ofruar dy opsione kompromisi në emër të partisë që i takon.
“Kompromisi i parë ishte ai që e ka thënë edhe kandidatja jonë e propozuar për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, e cila tha se në rast të votimit të fshehtë nuk i merr së paku 61 vota, tërhiqet nga kandidatura. Ajo këtë e ka bërë njëanshëm, por unë e respektoj vendimin e saj. Ajo nuk dëshiron të votohet për dy herë me votim të fshehtë”.
“Kompromisi i dytë ishte që ta bëjmë një marrëveshje politike lidhur me nenin 67 të Kushtetutës, e që është marrëveshje në paketë për kryetarin dhe nënkryetarët, dhe pastaj nëse nuk e duan kurrqysh votimin e fshehtë, le t’i delegojnë përfaqësuesit e tyre në këtë komision për votim të fshehtë, të cilin mund ta rrëzojmë me votë, sepse procesi ka mbetur në gjysmë. Ne aty e kemi deleguar Hekuran Muratin, le t’i delegojnë edhe tjerët, edhe pastaj e rrëzojmë, që më pas kryetarja dhe nënkryetarët të votohen në paketë”.
Megjithatë, Kurti ka thënë se për të është e papranueshme që partitë tjera të përcaktojnë emrin se kë do ta kandidojë LVV-ja për kryetare kuvendi.
“Takimi ja ka vlejtur. Mbledhja ka qenë e dobishme, sepse u sqaruan shumë gjëra, e njëra ndër to me të vërtetë është e çuditshme dhe brengosëse, e kjo është që, për bindjen time të fuqishme, PDK dhe LDK e kanë keqlexuar aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe po e keqinterpretojnë atë publikisht”, ka thënë Kurti duke iu referuar faktit që këto dy parti deklarojnë se komisioni për votim të fshehtë është jokushtetues dhe që udhëheqësi i seancave, Avni Dehari – nga LVV – ka kryer shkelje gjatë mbajtjes së tyre.
Krasniqi: Situata nuk është e njëjtë pas aktgjykimit, Kurti është i njëjtë
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, e ka quajtur ftesën e Kurtit si aktrim “për të përmbushur një obligim” që i ka dhënë aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese.
“Përkundër faktit që situata nuk është e njëjtë pas aktgjykimit, Kurti është i njëjtë, dhe qëndrimet e tij janë të njëjta”.
“Ne kërkuam shumë qartë dhe shumë drejtë me aktgjykim që të mos vazhdojmë me arbitraritetin e 20 seancave të fundit me kërkesën për komision për votim të fshehtë, por ta kthejnë pikën për votim të hapur për kandidaten. Është çështje e tyre se a e ndërrojnë emrin. Ata e dinë ofertën që ua kemi dhënë nga fillimi, këdo që nuk ka qenë ministër apo ministre edhe mund ta votojmë. Duket se kjo nuk do të ndodhë”.
Albulena Haxhiu është ministre në detyrë e Drejtësisë.
Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadriaj, ka thënë se nuk ka konsensus mes partive politike dhe që LVV-ja nuk e ka pranuar asnjë propozim të ofruar nga partitë tjera.
“Nëse edhe nesër i vazhdojmë praktikat e njëjta, ata po e shkelin me qëllim Kushtetutën”, ka thënë ajo, duke insistuar që të mos votohet më për formim të një komisioni për votim të fshehtë për votim të të nominuarës për pozitën e kryetarit të Kuvendit.
Kadrijaj: Nuk ka shpresë për konsensus
Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje nuk ka pranuar asnjë ofertë të partive parlamentare që ishin në opozitë, për të zhbllokuar situatën në konstituimin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës.
“Erdhëm me shpresë në këtë takim, por po shohim që nuk ka shpresë, nuk ka konsensus. Partia në pushtet nuk e ka pranuar asnjë ofertë që e kemi ofruar. Është e çuditshme se aty ku ju konvenon që me një aktgjykim të vitit 2014 që i jepet e drejta partisë së parë për ta zgjedhur kryeparlamentarin, po e shfrytëzojnë të drejtën e tyre për atë kandidat. Por tash me këtë interpretimin tjetër të Gjykatës Kushtetueses, janë munduar me shtrembëruar plot pika të këtij aktgjykimi dhe në fakt mos me pranuar asgjë – as periudhën kohore 30 ditore për konstituimin e Kuvendit, as shkeljen për ndryshimin e mënyrës së votimit. Ajo çfarë kam insistuar, pasi partia jonë ka qenë ajo që e ka dërguar kërkesën në Kushtetuese, është që të mos vazhdohet me procedura të njëjta”, ka thënë ajo.
Ajo ka thënë se po që se votohet të dielën për komisionin për votim të fshehtë, deputetët do të bëjnë shkelje kushtetuese.
“Kërkuam të mos vazhdohet me votimin e komisionit për votim të fshehtë. Të kthehet votimi i hapur e më pas është e drejta e LVV-së ta kandidojë secilin që do, por është e drejta dhe obligim i tyre të sigurojnë 61 vota për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit. Forma dhe mënyra e përzierjes që me pako të votohet kryetari bashkë me nënkryetarët nuk ka sens. Është praktikë që nuk është praktikuar dhe nuk është njëjtë si të zgjedhet nënkryetari si kryetari i kuvendit. Këta po insistojnë në këto praktika që janë antiligjore, shkelet Rregullorja e Kuvendit dhe nuk janë praktika të mëhershme. Në formën e prerë Kushtetuesja ka thënë që të votohet ashtu siç kanë qenë praktikat e mëhershme. E këta po e përziejnë se nuk përjashtohet votimi i fshehtë”, ka thënë Kadrijaj.
Limaj: Partitë të dalin nga interesat partiake
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka thënë se krizat sikurse këto, zgjidhen vetëm me marrëveshje politike.
“Si takim mendoj që është gjë e mirë që ka ndodhur. Pres të ndodhin edhe takime tjera. Natyrisht, takimi i parë është i vështirë. I ftova të gjithë të fokusohemi në marrëveshje politike. Aktgjykimi është aty ku është, e interpretojnë profesionistët. Shpresoj të kemi takime tjera”.
Ai ka bërë thirrje që të gjithë të dalin nga interesat partiake, “në të mirë të Kosovës”.
Deputetët duhet ta zgjedhin kryetarin dhe pesë nënkryetarët për ta konstituuar përfundimisht Kuvendin e ri.
Vetëm pas konstituimit të Kuvendit mund të formohet Qeveria e re.
Deklarimet e partive Guxo dhe Alternativa
Faton Peci nga partia Guxo, parti në koalicion me LVV-në, ka thënë se interpretimi i aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese “nuk është fontanë dëshirash”, prandaj ka bërë thirrje për një marrëveshje politike për zhbllokim.
“Pra të kemi pako të marrëveshjes, por jo pako të votimit të kryetarëve dhe nënkryetarëve të Kuvendit të Kosovës, sepse rezultati i zgjedhjeve të datës 9 shkurt nuk mund të tjetërsohet”.
Mimoza Kusari – Lila nga partia Alternativa, gjithashtu në koalicion me LVV-në, ka insistuar se në asnjërin paragraf nuk është e specifikuar se “mbarëvajtja e seancës së deritashme ka shënuar diku shkelje”.
“Gjykata Kushtetuese, nëse ka dashur të ofrojë rrugë për një proces që është në vazhdim, nuk ka dhënë rrugë. Në fund e ka ofruar një mundësi për interpretime edhe më të larmishme, deri aty sa kemi pasur deklarata që nëse vazhdohet me seancën sikurse deri më tani, do të ketë pasoja, por nuk dihet se cilat janë ato”, ka thënë Kusari – Lila.
Hasani: Gjykata konfirmoi se votimi i fshehtë është jokushtetues
Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, aktualisht profesor i së Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, Enver Hasani, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë ditë më parë se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, në mënyrë të qartë, ka konfirmuar se procedura për konstituimin e Kuvendit është e përcaktuar nga Kushtetuta, Rregullorja e Kuvendit dhe praktikat parlamentare.
“…që nënkupton se ajo që është bërë nga z. [kryesuesi i seancës konstituive, Avni] Dehari është tërësisht jokushtetuese. Do të thotë se nuk mund të ketë devijim nga marrëveshja e arritur më 8 prill [v.j. takimi i partive politike për përgatitjen e seancës konstituive]”, tha Hasani.
Në takimin e 8 prillit, nuk është marrë asnjë vendim për votim të fshehtë.
Profesor Hasani thotë se Kushtetuesja vendosi për tërësinë e procedurës për konstituimin e Kuvendit, përfshirë këtu edhe në çfarë forme bëhet votimi.
“Ajo ka vendosur për gjithë procedurën dhe ka treguar që procedura duhet të jetë e njëjtë, siç thotë Rregullorja, Kushtetuta dhe siç është vendosur pas çdo zgjedhje parlamentare në Kosovë deri tash. Këtë e ka thënë Gjykata. Dhe asnjëherë deri sot nuk ka pasur ndryshim të rendit të ditës nga kryesuesi dhe asnjë nuk ka pasur votim të fshehtë”, theksoi ai.
