Mbeturinat mbulojnë `Fushën e Pajtimit`

Pavarësisht intervenimeve të herëpashershme, zonë e ‘Fusha e Pajtimit’ sërish është shndërruar në një deponi ilegale, ku grumbullimi dhe hedhja e pakontrolluar e mbeturinave po bëhen gjithnjë e më të theksuara.

Edhe pse nuk pranuan të flasin para kamerës, banorët e kësaj zone fajësojnë qytetarët e lagjeve të tjera që hedhin mbeturina në këtë hapësirë. Ata shprehin kritika edhe ndaj institucioneve përgjegjëse, duke i kritikuar për mungesë të menaxhimit dhe mbikëqyrjes. Sipas tyre, kundërmimi i shkaktuar nga mbeturinat po rrezikon shëndetin dhe po ua vështirëson jetën e përditshme.

Kompania ‘Pastrimi’ tha se po e pastron rregullisht zonën e ‘Fushës së Pajtimit’ dhe se do të vazhdojë me mirëmbajtje. Megjithatë, theksohet se kjo çështje kërkon bashkëpunim institucional dhe qytetar. Po ashtu, u kërkua edhe nga Inspektorati i Kryeqytetit dhe Policia e Kosovës që të shtojnë kontrollin dhe të ndëshkojnë hedhjen e paligjshme të mbeturinave jashtë vendeve të parapara.

Sipas kompanisë, pastrimi është përgjegjësi e përbashkët, pasi vetëm përmes ndërgjegjësimit dhe zbatimit të ligjit mund të sigurojmë një mjedis të pastër dhe të dinjitetshëm për të gjithë.


Go to TOP