U zgjodhën aksionarët e rinj të ndërmarrjeve publike në Prishtinë
Në pesë ndërmarrje publike të Prishtinës, u zgjodhën aksionarët e rinj të tyre, u vendos në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal të Prishtinës me 29 vota për, një kundër dhe asnjë abstenim.
Në Ndërmarrjen publike banesore u zgiodhën Fjolla Vukshinaj nga PDK dhe Elmi Fazliu. Në ndërmarrjen publike Prishtina Parking, Yll Muriqi dhe Muhamet Ademi.
Në ndërmarrjen tjetër “Gjelbër” u zgjodhën Kumrije Shabani- Ramadani dhe Plator Gërdovci.
E në ndërmarrjen “Pastrimi”, Hana Bajrami- Rexhepi dhe Sefedin Sefaj, ndërsa në ndërmarrjen e fundit, “Sport Marketing”, Astrit Gashi dhe Faton Pacolli.
Emrat u propozuan nga asamblistja e PDK-së, Agnesa Avdyli.
Avdyli: Propozoj emrat e aksionarëve
“Propozoj emrat e aksionarëve për Ndërmarrjen Publike Banesore, Fjolla Vukshinaj dhe Elmi Fazliun. Për Prishtina Parking, Yll Muriqi dhe Muhamet Ademi. Gjelbër, Kumrije Shabani- Ramadani dhe Plator Gërdovci. Pastrimi, Hana Bajrami- Rexhepi dhe Sefedin Sefaj”, propozoi ajo.
Gëzim Sveçla i Lëvizjes Vetëvendosje mes urimeve tha se shpreson që mos të lihen ndërmarrjet në gjysmë, siç ka ndodhur nga menaxhimi i PDK-së.
Ai tha se që nga balotazhi i zgjedhjeve komunale, është ditur se kush do të jenë aksionarët.
Sveçla: Uroj që të mos ndodh ashtu si mandatin e kaluar, në gjysmë me i lënë ndërmarrjet
“Po dua aksionarëve të rinj t’u uroj punë të mbarë, është e drejtë legjitime e koalicionit që e ka shumicën me i emërua shumicën në ndërmarrje, faktikisht prej balotazhit e kemi ditur edhe kush do të jenë aksionarët. Uroj që të mos ndodh ashtu si mandatin e kaluar, në gjysmë me i lënë ndërmarrjet PDK-ja dhe shumica e atyre ndërmarrjeve që do vijnë të kërkojnë subvencion, janë si pasojë e mungesës së kontrollit nga aksionarët”, tha Sveçla.
