Matoshi: Mërgata duhet të luftojë për veten, jo për pushtetin personal të Kurtit – të rezervohen 2-3 vende në Kuvend për diasporën
Publicisti Halil Matoshi ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve të fundit politike duke kritikuar Presidenten Vjosa Osmani dhe mënyrën se si po trajtohet roli i mërgatës në proceset zgjedhore. Ai thotë se është koha që diaspora të mendojë për veten dhe jo për pushtetin personal të kryeministrit Albin Kurti duke kërkuar që në Kuvendin e Kosovës të rezervohen vende të posaçme për përfaqësuesit e saj.
Matoshi akuzon Presidenten Osmani se është “shndërruar në notere të Albin Kurtit” duke braktisur, sipas tij, vetëpërmbajtjen institucionale dhe rolin unifikues që i takon. Ai thotë se Presidentja, në vend të zbatimit strikt të Kushtetutës, ka adoptuar programin e Lëvizjes Vetëvendosje duke i dhënë zë “agitpropit nga zyra e Dejona Mihalit”.
Në anën tjetër, Matoshi vlerëson se caktimi i datës 28 dhjetor për zgjedhjet e jashtëzakonshme nuk është gabim duke e konsideruar një mundësi që mërgata të marrë pjesë më masivisht në votime. Sipas tij, diaspora ka të drejtë kushtetuese të votojë në Atdhe dhe duhet të shfrytëzojë çdo mundësi për ta ushtruar këtë të drejtë.
Ai thekson se mërgata nuk duhet ta përkrahë qorrazi pushtetin aktual, por të luftojë për interesat e veta. Matoshi kërkon që diaspora të ushtrojë presion për ndryshimin e Ligjit për Zgjedhjet, në mënyrë që të garantohen dy ose tre vende të rezervuara në Kuvendin e Kosovës: një për Europën, një për SHBA-të dhe një tjetër për Kanadanë, Australinë dhe Zelandën e Re.
“Vetëm kështu mërgata mund t’i japë zë interesave dhe kërkesave të veta”, përfundon Matoshi. /Kosova.info/
