Maskirovka Ballkanike: Pse “distancimi” i Moskës është vetëm një operacion për mbijetesën e regjimit të Vuçiçit
Shkruan: Dr. Gurakuç KUÇI – Profesor në Kolegjin Universum dhe bashkëpunëtor i jashtëm në ISLH “OCTOPUS”
Hapi i radhës për konsolidimin e pushtetit të Vuçiçit në Serbi u shënua nga Dmitry Peskov përmes një operacioni klasik Maskirovka. Zëdhënësi i Kremlinit deklaroi se “Orbani kurrë nuk ka qenë miku ynë… dhe as Vuqiçi nuk është i tillë”, duke shtuar se “kemi marrëdhënie historike, por ata janë vend i pavarur”. Megjithatë, ai theksoi partneritetin midis Rusisë dhe Serbisë, të diskutojnë çështjet më urgjente.
theksimi i partneritetit për çështje urgjente e zhvesh këtë deklaratë nga çdo natyrë diplomatike, duke e shndërruar në një përpjekje për të hequr etiketën e “vasalit rus” nga figura e Vuqiçit në sytë e opinionit publik ndërkombëtar.
Distancimi si anatomi mashtrimi
Regjimi në Beograd e di se çelësi i mbijetesës në vitet në vijim është shmangia e një përplasjeje frontale me Brukselin dhe Uashingtonin. Deklarata e Peskovit i shërben këtij qëllimi, duke i ofruar perëndimit një narrativë të dobishme: “Ja, Rusia po distancohet, Serbia po orientohet drejt pavarësisë, prandaj le ta mbështesim Vuqiçin për të shmangur destabilizimin”.
Kremlini nuk dëshiron të përsërisë “skenarin e Hungarisë”. Mosdistancimi i hapur ndaj Orbanit ashpërsoi kundërshtarët e tij; Moska po zbaton një qasje të kundërt me Vuqiçin për të shmangur të njëjtin fat. Ky cikël “neutraliteti” është një metodologji e përsëritur që nga viti 2014: sa herë që presioni perëndimor rritet, Rusia lëshon një deklaratë “neutraliteti”, Vuqiç e përdor atë për të fituar kohë, dhe nën këtë “tymnajë”, regjimi konsolidohet.
Emërimi i Andjiqit si njeriu i Rusisw në arterien e industrisë ushtarake në Serbi
Përderisa Peskov flet për “marrëdhënie historike” dhe “vende të pavarura”, realiteti operacional lëviz në një drejtim krejt tjetër. Emërimi i Milosh Andjiqit në krye të Jugoimport SDPR është fakti tjetër që shkatërron narrativën e distancimit.
Jugoimport SDPR nuk është një kompani e zakonshme, por arteria kryesore e tregtisë së armëve dhe teknologjisë ushtarake të Serbisë. Vendosja e një njeriu të lidhur ngushtë me Aleksandar Vulinin (i cili është i sanksionuar nga SHBA-ja dhe i lidhur me shërbimet ruse) në këtë pozicion, dëshmon se koordinimi ushtarak dhe inteligjent me Moskën po forcohet, jo po dobësohet. Kjo është një armatosje e strukturave kryesore për ta bërë regjimin imun ndaj ndryshimeve politike.
Strategjia e tri shtyllave dhe blindimi i pushtetit
Vuçiç po aplikon një strategji mbijetese të bazuar në tri shtylla:
Kina për kapital dhe investime;
Rusia për siguri dhe inteligjencë;
Perëndimi për legjitimitet, përmes metodave të Maskirovka-s.
Për regjimin, nuk ka më rëndësi se kush e mban postin, por kush i tërheq fijet. Struktura është blinduar; pjesa tjetër është thjesht teatër. Distancimi publik është mjet për të shuar çdo reagim perëndimor. Nëse Perëndimi bie pre e këtij mashtrimi, Serbia do të mbetet një “Black Box” ku Rusia dhe Kina kanë akses, ndërsa Brukseli financon qëndrueshmërinë e këtij sistemi.
Këto çështje duhen parë gjithmonë me kujdes; assesi nuk duhet rënë pre e veprimeve Maskirovka.
