`Kanga Jonë` rikthehet në Prishtinë më 24 qershor

Koncerti tradicional “Kanga Jonë 2026” do të rikthehet më 24 qershor në Prishtinë, në një mbrëmje kushtuar trashëgimisë muzikore shqiptare të Muharrem Qenës, Pranvera Badivukut dhe Reshat Randobravës.

Lajmi është bërë i ditur nga Komuna e Prishtinës, e cila ka njoftuar se aktiviteti do të mbahet në muajin e çlirimit, në Sheshin “Skënderbeu”.

“Në muajin e çlirimit, në zemër të kryeqytetit nën patronatin e Kryeqytetit rikthehet koncerti tradicional ‘Kanga Jonë 2026’”, thuhet në njoftim.

Sipas Komunës, koncerti do t’i kushtohet “trashëgimisë muzikore shqiptare të tre personaliteteve të çmuara të artit tonë: Muharrem Qena, Pranvera Badivuku dhe Reshat Randobrava”.

Po ashtu, në njoftim bëhet e ditur se publiku do të ketë mundësi të dëgjojë interpretimin e këngëve që kanë shënuar dekada të tëra të muzikës shqiptare.

“Një kastë e jashtëzakonshme artistësh do të kujdeset për t’ju sjellë emocionet dhe frymën e muzikës shqiptare të viteve ’60 dhe ’70, si dhe shumë këngë të dashura që kanë lënë gjurmë ndër breza”, thuhet më tej.

Nën përcjelljen e Orkestrës Libertas dhe dirigjimin e Edon Ramadanit, në skenë do të ngjiten Adhurim Grezda, Alban Nimani, Alma Bektashi, Aurela Gaçe, Dren Abazi, Elina Duni, Jehona Sopi, Kori Okarina, Sihana Badivuku dhe Vesa Luma.

Komuna ka njoftuar gjithashtu se moderimin e mbrëmjes do ta bëjnë Vesa Luma dhe Drini Zeqo.

Koncerti do të mbahet më 24 qershor 2026, duke filluar nga ora 20:30, në Sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë. /Kosova.info/

Go to TOP