MASHTI: Mësimi u mbajt normalisht në të gjitha komunat përveç Prishtinës

Ministria e Arsimit, e Shkencës, e Teknologjisë dhe e Inovacionit (MASHTI) ka njoftuar se procesi mësimor gjatë ditës së sotme është zhvilluar normalisht në të gjitha komunat e Kosovës, përveç në kryeqytet, pavarësisht kushteve të vështirësuara atmosferike.

Sipas MAShTI-t, nga informacionet e mbledhura nga Inspektorati i Arsimit, “në të gjitha shkollat në Kosovë, mësimi është zhvilluar normalisht, edhe në shkollat që punojnë me dy ndërrime, me përjashtim të shkollave në komunën e Prishtinës”.

Drejtoria Komunale e Arsimit në Prishtinë kishte njoftuar më herët për pezullimin e procesit mësimor për të gjitha shkollat e kryeqytetit, si pasojë e “kushteve të përkeqësuara atmosferike dhe vështirësive në komunikacion”.

MASHTI ka bërë me dije se Inspektorati i Arsimit do të mbikëqyrë zëvendësimin e orëve të humbura, në përputhje me rregulloret në fuqi. “Inspektorati i Arsimit, bazuar në kompetencat e tij ligjore, do të monitorojë dhe do të sigurohet që të gjitha orët e humbura të ditës së sotme të zëvendësohen, sipas Udhëzimit Administrativ Nr. 01/2025 për Kalendarin e Vitit Shkollor 2025/2026”, thuhet në komunikatë.

 “MASHTI do të vazhdojë të jetë në komunikim të vazhdueshëm me komunat për të garantuar vijueshmërinë e procesit mësimor, duke pasur prioritet sigurinë e nxënësve”, theksohet në njoftim. /Kosova.info/


Go to TOP