“Mashat do të digjen”, Haradinaj paralajmëron Kurtin e Limajn për zgjedhje të reja

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka reaguar ashpër pas pezullimit të seancës së Kuvendit duke akuzuar kryeministrin Albin Kurti për “politika bllokuese, shantazhuese dhe uzurpuese” që, sipas tij, po e mbajnë peng vendin tash e më shumë se katër vjet.

Në një deklaratë publike, Haradinaj e ka quajtur të padrejtë dhe arbitrar pezullimin e seancës, ndonëse, sipas tij, ekzistonin numrat për vazhdim. Ai tha se ky veprim tregon qartë “fytyrën e vërtetë” të pushtetit aktual.

“Kosova dhe karakteri i saj parlamentar, demokratik dhe properëndimor nuk do të rrëshqasin për shkak të tekeve dhe dëshirave autokratike e diktatoriale të lindjes”, ka shkruar Haradinaj.

Ai ka kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të Kurtit nga njëra prej dy pozitave që, sipas tij, i mban në mënyrë të papranueshme. “Është fare e thjeshtë: Dorëhiqu – nuk mundesh t’i kesh dy pozita. Propozojeni dhe formojeni kryesinë e Kuvendit. Formo Qeverinë. Nëse nuk mundesh – ik, lësho rrugë”, theksoi ai.

Në fund të reagimit, Haradinaj paralajmëroi se nëse nuk ndodh një zgjidhje institucionale, atëherë “pushteti do t’i kthehet sovranit” dhe “aty mashat do të digjen”.

Reagimi i tij vjen në një klimë të tensionuar politike, me akuzat për bllokim institucional dhe mungesë të qartësisë në drejtimin e shtetit. /Kosova.info/


Go to TOP