Marrëveshja Kosovë-Serbi, analistët: Ka mungesë të vullnetit politik

Në një debat në Beograd, njohësit e zhvillimeve politike deklaruan se sot problemi mes Kosovës e Serbisë është mungesa e vullnetit politik për ta zbatuar marrëveshjen e arritur një vit më parë. Ndërkohë, diplomatët thonë se është e rëndësishme të vazhdojnë bisedimet.

“Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe zbatimi i marrëveshjeve të dakorduara janë kyçe për vendosjen e paqes dhe ky proces nuk ka alternative”. Kështu u tha në konferencën e Grupit Punues për Kapitullin 35, ku u diskutua njëvjetori i Marrëveshjes së Ohrit.

“Zhvillimi i suksesshëm as i Kosovës dhe as i Serbisë nuk do të jetë i mundur pa normalizimin e marrëdhënieve, që është në interesin e tyre, po ashtu edhe në interes të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimin Evropian, i cili është ndërmjetësues në negociata, por që nuk mund të zëvendësojë vullnetin politik që na nevojitet nga Beogradi dhe Prishtina”, deklaroi Anke Konrad, Ambasadore e Gjermanisë në Beograd.

“Ne mbështesim punën e emisarit Miroslav Lajçak. Dialogu është prioritet kryesor për Presidentin Makron dhe ne po fokusohemi në këtë çështje. Edhe pse ka sfida, ka pasur një progres në çështjet teknike, siç janë targat, ka një dinamikë dhe duhet të vazhdojë puna”, tha Fatih Akcal, I Ngarkuari me Punë i Ambasadës Franceze.

Në anën tjetër studiuesi Artan Mustafa tha se palët donin aq shumë të arrinin një marrëveshje, dhe sot shohim se asnjëra prej tyre nuk është e kënaqur. “Ndoshta duhet të rinegociohet në mënyrë që të arrihet në të vërtetë një zgjidhje”, tha ai.

“Një shkronjë e vdekur në letër janë një sërë marrëveshjesh. Dhe nëse marrëveshjet dhe detyrimet nuk zbatohen, të dyja palët e kanë të vështirë të bindin Brukselin se mund të bëhen anëtare të BE-së”, deklaroi Naim Leo Beshiri nga Instituti për Çështje Evropiane.

Siç u vlerësua, përveç implementimit te Marrëveshjes se Ohrit, është e nevojshme te ketë dialog politik dhe shoqëror si ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ashtu edhe ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë.

Go to TOP