Protestë studentore në Novi Sad, pjesëmarrje nga e gjithë Serbia

Një protestë e thirrur nga studentët serbë është mbajtur sonte në Novi Sad, qytet ku muaj më parë dhe gjatë vitit të kaluar janë zhvilluar disa valë protestash studentore kundër qeverisjes së Partisë Progresive Serbe të presidentit Aleksandar Vuçiq.

Qytetarët janë nisur nga Kampusi Universitar dhe Parku Limanski në një marshim drejt rrethrrotullimit “Turbo”, në kryqëzimin e rrugës Fruškogorska dhe Bulevardit Cara Lazara, ku është zhvilluar pjesa kryesore e programit të protestës.

Përveç studentëve të Universitetit të Novi Sadit në bllokadë, në protestë kanë bërë thirrje edhe nxënës të shkollave të mesme dhe kuvende qytetarësh, ndërsa në tubim kanë marrë pjesë qytetarë nga e gjithë Serbia.

Studenti i Fakultetit Juridik, Mateja Magda, ka deklaruar për N1 se Novi Sadi “është vendi ku gjithçka ka filluar”, duke shtuar se prej kohësh në këtë qytet nuk është mbajtur një tubim studentor.

“Duhet t’u kujtojmë njerëzve se ne jemi ende këtu, se jemi ende aktivë, se vazhdojmë të punojmë dhe jemi të gatshëm për gjithçka, dhe mendoj se ishte koha që një protestë e tillë të mbahej në Novi Sad”, ka thënë ai.

Profesoresha e Fakultetit të Shkencave Natyrore dhe Matematike në Novi Sad dhe anëtare e Universitetit të Lirë në Novi Sad, Sanja Belić, iu drejtua të pranishmëve në protestë duke thënë se pa zgjedhje të lira dhe të ndershme gjithçka tjetër është “fjalë boshe”. Duke folur për mangësitë në listat zgjedhore, ajo tha se Serbia është një vend ku “votojnë të vdekurit, ndërsa të gjallët mbeten pa vullnet”.

Ministria e Punëve të Brendshme (MUP) ka njoftuar opinionin publik se në rrethrrotullimin “Turbo” në Novi Sad është mbajtur një tubim publik i pa raportuar, i cili ka përfunduar në orën 19:05.

“Sipas vlerësimeve të policisë, në këtë tubim të pa njoftuar janë mbledhur deri në rreth 7.800 persona, ndërsa trafiku është bllokuar nga traktorë dhe motoçiklistë”, thuhet në njoftim.

Novi Sadi ka qenë një nga qendrat kryesore të protestave studentore në Serbi gjatë viteve të fundit, me tubime dhe mobilizime të shumta kundër politikave të qeverisë së Aleksandar Vuçiqit dhe Partisë Progresive Serbe. Lëvizjet studentore dhe protestat në këtë qytet janë shndërruar në pjesë të rëndësishme të debatit publik në Serbi, veçanërisht rreth çështjeve të demokracisë, zgjedhjeve dhe transparencës institucionale.

Go to TOP