Manaj: Nuk kam heshtur për procesin e votave me postë, LDK nuk mund të shantazhohet!

Anëtari dhe kandidati për deputet Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Shkëmb Manaj, ka reaguar lidhur me diskutimet e brendshme brenda partisë dhe procesin e votave me postë. Ai ka theksuar se shqetësimet e tij i ka ngritur në mënyrë institucionale dhe nuk ka dalë publikisht me kritika ndaj partisë.

“Fillimisht e kam njoftuar Kryetarin e LDK-së dhe më pas kam reaguar në grupin e Kryesisë. Edhe pse unë kam qenë i vetmi që e kam humbur mandatin nga ky proces, kam zgjedhur ta trajtoj çështjen brenda partisë, sepse besoj në kapacitetet tona për të korrigjuar defektet,” ka deklaruar Manaj.

Ai ka dënuar publikimin e komunikimeve të brendshme duke e cilësuar atë si një fushatë për të dëmtuar LDK-në dhe për të tentuar ta shantazhojnë atë në prag të marrëveshjeve të mundshme për bashkëqeverisje. “LDK nuk mund të shantazhohet sot e asnjëherë,” ka theksuar ai.

Në lidhje me akuzat për heshtje në këmbim të pozitës së Nënkryetarit të Prishtinës, Manaj ka sqaruar se kjo përgjegjësi i është kërkuar nga udhëheqësia për shkak të angazhimit të tij në qeverisjen lokale. “Nuk bëj pazare politike dhe askush nuk mund të më mbyllë gojën,” ka thënë ai.

Në fund, ai ka theksuar nevojën për reforma dhe unitet brenda partisë. “LDK është më e madhe se secili prej nesh dhe unë mbetem i përkushtuar ndaj saj,” ka përfunduar Manaj. /Kosova.info/


Go to TOP