Maliqi mohon aderimin në LDK: Angazhimi im publik më i dobishëm se politika partiake

Analisti politik Agon Maliqi ka reaguar pas raportimeve të disa mediave që e lidhnin emrin e tij me një aderim të mundshëm në Lidhjen Demokratike të Kosovës gjatë zgjedhjeve të ardhshme. Përmes një deklarate publike, Maliqi ka mohuar kategorikisht këto zëra duke theksuar se nuk ka asnjë plan për t’iu bashkuar ndonjë partie politike.

Ai tha se angazhimi i tij publik, rajonal dhe ndërkombëtar, i cili tashmë është i njohur për opinionin, është forma më e dobishme e kontributit që mund të ofrojë. “Ndihem profesionalisht i përmbushur dhe i dobishëm për kauzat në të cilat besoj. Mendoj se ky lloj angazhimi sjell më shumë rezultat sesa angazhimi partiak,” theksoi Maliqi duke shtuar se secili duhet ta njohë qartë se ku ka pikat e forta dhe se ai vetë nuk e sheh veten të prirë për të qenë figurë që mobilizon vota.

Maliqi sqaroi gjithashtu se takimet e tij të shpeshta me liderë politikë nuk kanë të bëjnë me aderime apo përfshirje zgjedhore, por me bashkëpunim dhe diskutime të natyrshme profesionale. Ai veçoi komunikimin e rregullt me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun, me të cilin ndan njohje të hershme nga periudha e angazhimit në shoqërinë civile.

“Do të vazhdoj t’i takoj të gjithë ata që besoj se janë pjesë e zgjidhjes dhe jo e problemit në tejkalimin e krizës politike në vend, sa herë që vlerësojnë se mendimi im mund të ketë vlerë,” tha ai.

Me këtë reagim, Maliqi i ka dhënë fund spekulimeve për një angazhim të tij në politikën partiake duke riafirmuar rolin e tij si analist dhe kontribuues i pavarur në debatin publik. /Kosova.info/


Go to TOP