Major Muharrem Asllani i bashkohet LDK-së: Forcim i madh për sigurinë dhe emergjencat në Kosovë
Lidhja Demokratike e Kosovës ka zyrtarizuar sot aderimin e një prej profesionistëve më të dëshmuar të sigurisë dhe menaxhimit të emergjencave në vend, Major Muharrem Asllanit. Me mbi 20 vite përvojë në terren, udhëheqje njësish specializuara dhe menaxhim të materieve të rrezikshme, Asllani konsiderohet një aset i rëndësishëm profesional për strukturat shtetërore dhe shkencore të Kosovës.
I njohur gjerësisht për rolin e tij në FSK dhe Mbrojtjen Civile, Asllani ka qenë pjesë e operacioneve më të ndërlikuara kombëtare duke komanduar njësi të specializuara në fushat kimike, biologjike dhe radiologjike. Përvoja e tij përfshin menaxhimin e emergjencave komplekse, reformimin e strukturave të sigurisë, si dhe koordinimin ndërinstitucional në situata kritike duke ngritur standardet profesionale në sektorë ku ekspertiza është e rrallë dhe tejet e nevojshme.
Në bashkëpunim me partnerë ndërkombëtarë, përfshirë KFOR-in dhe specialistë nga SHBA, Franca dhe NATO, Asllani ka përfaqësuar vendin me integritet dhe profesionalizëm duke kontribuar në ndërtimin e kapaciteteve moderne të sigurisë në Kosovë. Ai është gjithashtu instruktor dhe ligjërues i certifikuar për ADR dhe transportin e materialeve të rrezikshme, një fushë ku aftësitë e tij janë vlerësuar edhe jashtë vendit.
Me aderimin e tij në LDK, Asllani pritet të jetë pjesë e listës fituese të partisë për zgjedhjet e ardhshme. LDK e ka vlerësuar këtë bashkim si një shtim të fuqisë profesionale në ekipin e saj, në një kohë kur vendi ka nevojë për udhëheqës të përgjegjshëm, të trajnuar dhe të provuar në situata reale.
“Mirë se vjen Muharrem Asllani. Kosova ka nevojë për njerëz që i kanë shërbyer shtetit me përkushtim dhe kompetencë,” ka thënë LDK në njoftimin e saj.
Me këtë hap, partia synon të forcojë edhe më tej profilin e saj profesional dhe të ofrojë alternativa të sigurta dhe të qëndrueshme për të ardhmen e vendit. /Kosova.info/
