Man City bindës ndaj Sunderlandit, i afrohet Arsenalit
Manchester City ka shënuar një fitore bindëse në stadiumin “Etihad”, duke mundur Sunderlandin me rezultat 3:0 dhe duke ruajtur presionin ndaj liderit të tabelës, Arsenalit.
Pjesa e parë nisi me disa iniciativa të rrezikshme të Sunderlandit. Le Fee dhe Isidor patën mundësi të hapnin rezultatin, por pa arritur të finalizonin.
City mori kontrollin e ndeshjes në minutën e 31-të, kur Ruben Dias shënoi golin e parë pas një aksioni të organizuar dhe një asistimi nga Cherki. Katër minuta më vonë, Josko Gvardiol e dyfishoi epërsinë me një goditje të saktë me kokë.
Skuadra mysafire ishte afër të ngushtonte rezultatin, por tentativa e Granit Xhakës u ndal nga shtylla.
Në minutën e 65-të, Phil Foden vulosi fitoren 3:0 pas një aksioni tjetër të mirë të Cityt dhe asistimit të dytë nga Cherki.
Pas këtij takimi, Manchester City arrin në kuotën e 31 pikëve, vetëm dy më pak se Arsenal që kryeson Premier Ligën. Sunderland mban pozitën e shtatë me 23 pikë.
