Manxhuka: Veriu s’kthehet më siç ishte për 20 vjet, sot shteti funksionon si kudo në Kosovë
Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, ka deklaruar se situata në veri të Kosovës ka ndryshuar rrënjësisht dhe se atje sot funksionon shteti e pushteti komunal si në çdo pjesë tjetër të vendit.
Ai kujtoi se kryetarët e komunave nuk u larguan nga zyrat e tyre për shkak të Policisë së Kosovës, por me urdhër të Beogradit, në kohën kur po luftoheshin bandat kriminale dhe po shtrihej rendi. “Këta kryetarë kur u larguan, bandat menduan se aty më nuk ka shtet. Por sot, shteti dhe komuna funksionojnë si kudo tjetër,” tha Manxhuka.
Duke folur për zgjedhjet e mbajtura në veri, ai theksoi se pavarësisht kundërshtimeve dhe madje edhe dhunës, përfshirë hedhjen e bombave, zgjedhjet u zhvilluan dhe kryetarët e rinj sot janë duke qeverisur.
“Sot, kushdo që kandidon, e bën këtë në afatin zgjedhor dhe me rregullat e Republikës së Kosovës. Ata që dolën për dritare nga Komuna, sot po duan të kthehen përmes derës dhe shkallëve të kushtetushmërisë sonë,” u shpreh ai.
Manxhuka theksoi se pushteti komunal dhe shtrirja e kushtetutshmërisë janë dy gjëra të ndryshme, por progresi në veri është i prekshëm. “Vetëm një dashakeq ose një naiv ekstrem nuk do dhe nuk di ta shohë. Veriu është sot krejtësisht ndryshe dhe kurrë nuk kthehet siç ka qenë për 20 vjet,” përfundoi ai. /Kosova.info/
