LVV: Përkundër pushtimeve, mësimdhënësit me sakrificë ruajtën gjuhën
Urime për të gjithë mësuesit shqiptar në Kosovë në Luginën e Preshevës, Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut, në Shqipëri e ata në mërgatë, ka përcjellë Lëvizja Vetëvendosje në këtë 7 Mars.
“7 Marsi kujton hapjen e mësonjëtores së parë shqipe në Korçë, në vitin 1887, një ngjarje themeltare për historinë e arsimit dhe ndërgjegjësimit kombëtar shqiptar. Përkundër pushtimeve dhe pengesave, shkollat shqipe dhe mësimdhënësit, me shumë mund e sakrificë, ruajtën dhe përforcuan gjuhën dhe kulturën tonë. Edhe në Kosovë, gjatë regjimit okupator, dëbimi i nxënësve dhe studentëve shqiptarë nga institucionet e arsimit nuk e ndali vullnetin për mësim dhe përhapje të dijes”.
Tutje, në urimin për mësuesit nga ky subjekt politik thuhet se 7 Marsi është ftesë për t’i vlerësuar kontributin jetik të mësuesve, si brenda trojeve shqiptare ashtu edhe në diasporë.
“Shkollat në Kosovë tashmë kanë një vëmendje të shtuar të institucioneve; kemi modernizim, pajisje të reja, hapësira ku ofrohen më shumë mundësi dhe një mësimdhënie të denjë. Natyrisht, ka ende rrugë për të bërë dhe nuk jemi ende aty ku dëshirojmë, por përpjekja mbetet e vazhdueshme. Ndërsa i përgjigjemi sfidave të reja bashkëkohore, duhet të vazhdojmë të nderojmë sakrificën e atyre që ndër vite mbrojtën dhe përçuan dijen shqipe”. /Kosova.info/
