​Lutfiu: Brenda këtij viti u pasivizuan 200 adresa në Preshevë dhe Bujanoc

Nga janari deri në korrik të këtij viti janë pasivizuar 174 adresa në Komunën e Preshevës, ndërsa 26 në Bujanoc, tha kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Nevzad Luftiu.

“E frikshme, po shuhemi”, shkroi ai në Facebook.

Ai tha se ajo që po ndodh është racizëm dhe një spastrim i pastër etnik.

“Më datë 04.08.2025, i kërkova qasje në informacione stacioneve policore në Bujanoc dhe Preshevë, me pyetjen: Sa adresa janë pasivizuar në këto dy komuna, nga janari deri në korrik 2025? Përgjigjen me shkrim e mora dje: gjatë periudhës së lartpërmendur, në Komunën e Preshevës janë pasivizuar 174 adresa, ndërsa në Komunën e Bujanocit 26 adresa”, shkroi Lutfiu ndërsa shtoi se është në pritje edhe të një përgjigjeje tjetër për të verifikuar të dhënat për Bujanocin.

Ai u ka bërë thirrje të gjithë akterëve politikë shqiptarë që të mblidhen “për t’u koordinuar dhe për të bashkëvepruar”.

Pasivizmi i adresës është i përcaktuar me ligj në Serbi, që prej vitit 2011, dhe parasheh që institucionet të bëjnë kontrolle për të verifikuar nëse një banor jeton në adresën e regjistruar.

Fshirja e qytetarëve prej adresave ku kanë qenë të regjistruar nënkupton pasivizim. Në këtë mënyrë, humb e drejta për të votuar, për të pasur pronë, pension apo për t’u punësuar në Serbi.

Shqiptarët të cilët jetojnë në komunat në jug të Serbisë – Preshevë, Medvegjë e Bujanoc – ka kohë që ankohen për pasiviizm të adresave.

Një raport i Komitetit të Helsinkit për të drejtat e njeriut në Serbi, në vitin 2021 i pati thënë se çështja e pasivizimit të adresave në thelb është formë e spastirmit etnik përmes metodave administrative. /Kosova.info/


Go to TOP