Lushi: VV ta ndalë gjuhën përçarëse, përndryshe e çon Kosovën drejt konfliktit vëllavrasës

Veprimtari i çështjes kombëtare dhe ish-ushtari i UÇK-së, Uk Lushi, ka reaguar ashpër ndaj gjuhës politike që, sipas tij, po përdoret nga Lëvizja Vetëvendosje dhe eksponentët e saj.

Në një reagim publik, Lushi ka deklaruar se VV duhet ta ndalë “gjuhën diskualifikuese dhe akuzuese” duke paralajmëruar se vazhdimi i saj mund ta çojë Kosovën në “luftë vëllavrasëse”.

Ai ka theksuar se pushteti aktual i ka në dorë institucionet e sigurisë dhe inteligjencës, prandaj, sipas tij, nëse ekzistojnë prova për persona që punojnë për Serbinë, ata duhet të arrestohen dhe të gjykohen, e jo të bëhen akuza publike pa evidencë.

“E keni shtetin në kontroll. Keni fakte dhe prova, arrestoni. Por mos u jargavitni duke hedhur propagandë musoliniane nga gojët sepse e keni tepruar”, ka shkruar ai.

Lushi ka kërkuar që të ndalet gjuha e urrejtjes dhe përçarjes politike duke shtuar se shumica e qytetarëve të Kosovës duan paqe dhe qetësi.

Në reagimin e tij, ai ka përmendur edhe kryeministrin në detyrë Albin Kurti dhe zyrtaren e VV-së Dejona Mihali duke i bërë thirrje që të reflektojnë dhe të ndalin, siç është shprehur ai, “dhunën verbale” në diskursin politik. /Kosova.info/


Go to TOP