Lushaku-Sadriu: Gratë në Kosovë duan mundësi pune, jo pengesa
Deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve ka ngritur shqetësimin për pozitën e grave në tregun e punës në Kosovë duke theksuar se mijëra gra vazhdojnë të përballen me papunësi dhe mungesë mundësish.
Ajo ka deklaruar se mbi 60 për qind e grave në Kosovë janë të papuna, ndërsa përfaqësimi i tyre në vendimmarrje dhe institucione mbetet i ulët. Sipas saj, vetëm 22.5 për qind e grave janë të përfshira në administratë, ndërsa 24.4 për qind në diplomaci.
Lushaku-Sadriu ka kritikuar mungesën e politikave mbështetëse duke përmendur numrin e pamjaftueshëm të çerdheve, mungesën e programeve serioze për punësim dhe mbështetjen e pamjaftueshme për gratë që synojnë të punojnë dhe të udhëheqin.
“Përveçse padrejtësi, ky është sabotim i zhvillimit të Kosovës. Nëse nuk investojmë në gra, nuk do të kemi ekonomi të fortë”, ka theksuar ajo.
Deputetja ka shtuar se do të vazhdojë angazhimin për fuqizimin e politikave që ndihmojnë gratë dhe rrisin pjesëmarrjen e tyre në jetën ekonomike e shoqërore në Kosovo. /Kosova.info/
