Luan Kransiqi: S’jam në dijeni për propozimin për ambasador të Gjermanisë

Boksieri Luan Krasniqi ka thënë se nuk është në dijeni për propozimin për ambasador të Gjermanisë që u përfol gjatë ditës në rrjete sociale.

Ai ka thënë se për 35 vjet mban me krenari epitetin e ambasadorit sportiv dhe në këtë mënyrë e ka përfaqësuar vendin e tij.

“Vendin tim e kam përfaqësuar në sportin e boksit, me të cilin kam përjetuar kënaqësinë duke u ngjitur në piedestalin më të lart të karrierës sportive”.

“Prandaj, përkundër faktit se detyrën e ambasadorit e çmoj dhe e vlerësoj si tejet të rëndësishme, veçmas të ambasadorit në Gjermaninë mike të Kosovës dhe me vlera të larta demokratike, propozimi i dhënë nuk përkon me interesimin tim dhe kjo duhet të konsiderohet si inisiativë individuale për të cilën nuk kam qenë fare në dijeni. Unë, mbetem i përkushtuar në vendosjen e urave të reja të miqësisë së Kosovës dhe Gjermanisë duke ndihmuar e mbështetur nisma dhe angazhime për të mirën dhe të mbarën e njerëzve, dhe nuk pretendoj asnjë funksion, detyrë apo emërtim, si ky që është dhënë”.

Ish-zëvendësministri i Jashtëm, Gani Dreshaj, ishte ai që një propozim të tillë e bëri pjesë të rrjeteve sociale.

“Diplomacia kosovare në Gjermani ka mbetur pa të zotin e shtëpisë. Largimi i Beqë Cufajt ka lënë boshllëk dhe mund të ketë pasoja. Puna e tij ishte tejet profesionale dhe e pandalshme. Në këtë situatë, i propozoj presidentes Osmani, kryeministrit Kurti, dhe kryediplomates Gërvalla që Luan Krasniqi të jetë ambasador i Kosovës në Gjermani”, kishte thënë ai.

Go to TOP