Lobi Euro Atlantik Shqiptar reagon: Kosova urgjentisht të anëtarësohet në NATO dhe në BE

Lobi Euro Atlantik Shqiptar ka kërkuar nga aleatët ndërkombëtarë të Kosovës që të ndërmarrin pa vonesë masa konkrete kundër planeve ruso-serbe për destabilizimin e Ballkanit, me fokus të veçantë situatën në Kosovë.

Kjo kërkesë është adresuar nga kreu i Lobit Euro Atlantik Shqiptar me seli në Gjermani, Shukri Ymeri, i cili ka theksuar se aleatët e Kosovës duhet të ndalin “jetësimin e Planit të Djallit” në Ballkan.

Sipas Ymerit, hapi i parë për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon duhet të jetë pranimi i shpejtë dhe pa kushte i Kosovës në NATO, ndërsa më pas edhe përshpejtimi i procedurave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Ai ka deklaruar se rreshtimi i Serbisë dhe satelitëve të saj në Ballkan në mbështetje të Rusisë për agresionin në Ukrainë paraqet rrezik real për destabilizim edhe në Ballkanin Perëndimor.

“Aleanca Vuçiq-Dodik, nën ndikimin rus, rrezikon seriozisht paqen dhe stabilitetin në rajon”, ka theksuar Ymeri.

Lobi Euro Atlantik Shqiptar u ka bërë thirrje SHBA-së, Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe vendeve tjera me ndikim në NATO që të fuqizojnë lidhjet me shtetet properëndimore të Ballkanit dhe të mbështesin integrimin euroatlantik të Kosovës.

Sipas këtij lobi, përshpejtimi i proceseve integruese për Kosovën, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi është i domosdoshëm, pasi çdo vonesë burokratike shkon në favor të Serbisë dhe Rusisë.

“Komuniteti transeuroatlantik duhet të veprojë tani në mënyrë preventive, sepse nesër mund të jetë vonë”, ka përfunduar Ymeri. /Kosova.info/


Go to TOP