Limaj: Kosovës i duhen urgjentisht institucionet

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka deklaruar se mbajtja e zgjedhjeve të reja nuk është zgjidhje për krizën politike aktuale në vend. Ai ka theksuar se Kosova ka nevojë urgjente për institucione funksionale.

Limaj ka theksuar se Nismës nuk i takon përgjegjësia për formimin e institucioneve, por partive që kanë marrë përgjegjësi më të madhe.

“Momenti është për t’i thirrur përgjegjësisë. Të gjitha palët duhet ta kuptojnë se Kosova nuk e ka luksin të mbetet kështu, pa institucione. Na duhet një qeveri në punë”, ka thënë Limaj.

Sipas tij, vendi po përballet me një situatë të rënduar ekonomike dhe se duhet ndërmarrë hapa për të lëvizur ekonominë përpara.

“Gjendja ekonomike në Kosovë s’ka qenë kurrë më keq. Duhet ta lëvizim ekonominë, jo të futemi në cikël zgjedhjesh”, ka thënë ai.

Limaj ka kritikuar mungesën e dialogut mes partive politike dhe ka thënë se qytetarët i kanë votuar për të ndërtuar institucione, jo për të shkuar sërish në zgjedhje.

Limaj ka thënë se Nisma nuk ka pranuar asnjë ftesë për bisedime, por pret që partitë të tregojnë përgjegjësi karshi votuesve.


Go to TOP