Lidhja e bizneseve kërkon që punëtorët edhe të dielën të punojnë!

Vendimet e disa Kuvendeve Komunale anembanë Kosovës për ndalimin e punës së bizneseve ditën e diel, nuk u pëlqejnë Lidhjes së Bizneseve të Kosovës. Edhe në shumicën e vendeve të rajonit dhe ato perëndimore edhe dita e shtunë është ditë pushimi, bizneset e Kosovës duan që edhe e diela të jetë ditë pune.

Në një komunikatë për media, Besart H. Dreshaj, nga LBK, thotë se në një shoqëri ku sektori privat luanë një rol kyç në zhvillimin ekonomik, politikat e institucioneve qeverisëse të nivelit qendror dhe komunal duhet të përkrahin dhe inkurajojnë investimet e ndërmarrjeve private, ashtu që ato të mund të luajnë rolin e tyre të duhur në përmirësimin e situatës socio-ekonomike.

“Kufizimet e punës në ditën e dielës do të kenë ndikim negativ në performancën ekonomike, duke kufizuar të ardhurat potenciale të biznesit dhe mund të sjellë përkeqësim të situatës për punonjësit e tyre. Sipas dispozitave kushtetuese, ekonomia e tregut me konkurrencë të lirë është bazë e rregullimit ekonomik të Kosovës. Në këtë aspekt, iniciativat dhe vendimet e Qeverisë dhe komunave duhet të jenë në përputhje me dispozitat e sipër cekura dhe assesi nuk duhet të jenë pengesë për fuqizimin e sektorit privat”, thekson ai.

Lidhja e Bizneseve të Kosovës shpreh shqetësimin e saj lidhur me vendimet e disa Kuvendeve Komunale anembanë Kosovës për ndalimin e punës së bizneseve ditën e diel, gjë që do të kufizojë aktivitetet ekonomike, e rrjedhimisht do të ndikojë edhe në ngadalësimin e rritjes ekonomike në përgjithësi.

“Duke u ndërlidhur me arsyetimet e disa autoriteteve lokale, Lidhja e Bizneseve të Kosovës rikujton se marrëdhëniet ndërmjet punëdhënësve dhe punëmarrësve, përfshirë këtu edhe orarin e punës së të punësuarve, pushimin javor, punën pas orarit, gjatë ditëve të fundjavave dhe ditëve të festave zyrtare, janë të rregulluara me Ligjin e Punës, ndërsa autoritetet shtetërore duhet të sigurojnë zbatimin e drejtë të këtyre dispozitave përkatëse nga ana e punëdhënësve”, thekson LBK.

Madje Lidhja e Bizneseve thërret komunat që tashmë kanë marrë vendime të tilla të rishikojnë ato, si dhe të marrin në konsideratë edhe shqetësimet dhe rekomandimet e sektorit privat para marrjes së vendimeve të tilla që vënë kufizime në punën e këtyre të fundit. /Kosova.info/

Go to TOP