Lëndët e zvarritura marrin epilog me themelimin e Gjykatës Administrative
Me themelimin e Gjykatës Administrative, Kosova po e përmbyll reformën në drejtësinë administrative. Përmes Gjykatës Administrative synohet që një numër i madh i lëndëve të marrë epilog, veçanërisht ato të kontesteve të punës, të cilat deri më tani janë trajtuar në kuadër të Divizionit Civil.
Në përpjekjen për sundim të ligjit, Kosova po e përmbyll procesin e strukturës së gjykatave me Gjykatën Administrative. Me 23 gjyqtarë dhe deri në 80 punonjës administrativë, me kompetencë për trajtimin e të gjitha konflikteve administrative, kontestet e punës në sektorin publik për të punësuarit në raport me organet publike, dhe me dy divizione nga gjykata komerciale si shkallë e parë, kjo gjykatë do të ketë juridiksion në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
Kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj, thekson për RTK, se zotimi i përbashkët me Ministrinë e Drejtësisë po përmbyll reformën në drejtësinë administrative.
“Ka qenë një reformë e domosdoshme, e shikuar edhe në kontekst rajonal, por edhe në rrugën e integrimit të Kosovës, për shkak se ne jemi vendi i fundit në Ballkanin Perëndimor që e përmbyllim reformën në drejtësinë administrative. Në vitin 2025 hyri në fuqi Ligji për Konflikte Administrative, një ligj bashkëkohor që garanton qasje në drejtësi dhe efikasitet në procedura. Tani po bëhet edhe Gjykata Administrative, që nënkupton përmbylljen e procesit të strukturës së gjykatave, dhe kjo në fakt i jep një vlerë të shtuar përpjekjes për avancimin e sundimit të ligjit, por njëkohësisht edhe procesit të reformave që ka zhvilluar Republika e Kosovës”, deklaroi Zogaj.
Ministria e Drejtësisë në koncept-dokument ka paraparë strukturën e Gjykatës Administrative, që është e qartësuar për stafin dhe gjyqtarët, por me mundësi të rishikimit të buxhetit pas miratimit të parë në Kuvend.
“Në kuptim të resurseve, qoftë me gjyqtarë apo me staf mbështetës, buxheti aktualisht ekziston sepse këto pozita janë paraparë në projektet e Ministrisë. Kur është zhvilluar koncept-dokumenti për Gjykatën Administrative, ka qenë që të jenë rreth 25 gjyqtarë. Buxheti duket të rritet, sepse synimi i Ministrisë është pikërisht për efikasitetin e sistemit të drejtësisë, ndoshta pas miratimit të parë, sepse tani projekti i buxhetit është i përfunduar, pastaj mund të bëhen rishikime buxhetore afatmesme në qershor të këtij viti apo edhe vitin tjetër, që korrespondojnë gradualisht edhe me funksionalizimin e kësaj gjykate”, deklaroi Rinor Hoixha, ekspert ligjor në Ministrinë e Drejtësisë.
Lëndët e zvarritura ndër vite janë shkas për të cilat të gjitha palët mirëpresin investimin në Gjykatën Administrative dhe bartjen e tyre në punë.
“Kemi numër të madh të rasteve tani në Departamentin e Administratës së Gjykatës Themelore në Prishtinë, dhe kohëzgjatja e procedurës shkon me vite të tëra. Tani, me Gjykatën Administrative, shpresojmë dhe besojmë që do të reflektojë edhe shteti përmes ndarjes së buxhetit të mjaftueshëm dhe numrit të gjyqtarëve, në mënyrë që qytetarët të mos presin për realizimin e të drejtave të tyre për vite të tëra, siç ka ndodhur deri më tani”, tha ndërkaq avokati Yll Zekaj.
Ligji për Gjykatën Administrative ka hyrë në fuqi, ndërsa kjo gjykatë do të funksionalizohet në muajin maj.
