Lejohet ndërtim i lartë afër kompleksit banesor tek ish ‘Farmakosi’

Komuna e Prizrenit jep leje ndërtimore për kompleksin banesor që do të ndërtohet tek ish “Farmakosi”, ku ka ekzistuar edhe kompleksi i “Saraji i vjetër”. Lejen për ndërtim në këtë vend, investitori e ka kërkuar që në vitin 2019, por për shkak se aty ndodheshin objekte që konsideroheshin të rëndësishme për trashëgiminë kulturore, ajo i është refuzuar.

Në vendin tek ish “Farmakosi” në Prizren, do të ketë ndërtim banesor multifuknsional. Në këtë zonë, ishte edhe kompleksi “Saraji i vjetër” i Prizrenit, që në vitet e fundit nga Institucioni për Mbrojtjen e Monumenteve është futur në mbrojtje të përhershme. Për rrënimin që po ndodhë, drejtori i Urbanizmit, Pranverim Berisha, thotë se ka kërkuar pëlqim tek Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës.

“Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve e ka humbur afatin dhe nuk është përgjigjur faktikisht brenda afatit ligjor, dhe normalisht ka lejua që pas mos përgjigjes brenda asaj që parashihet me ligj të procedojë organi kompetent. Heshtja administrative nënkupton se zyrtari përgjegjësi i lëndës të vazhdojë me procedura të tjera, duke vazhduar deri në dhënien e lejes ndërtimore”, ka thënë Pranverim Berisha, drejtor i Urbanizmit.

Drejtoria e Inspektorateve ka dalë në terren dhe ka konstatuar se investitori po respekton lejet e lëshuara nga komuna e Prizrenit.

“Investitori e ka paraqitur lejen e rrënimit dhe lejen e ndërtimit, sepse paraprakisht lëshohet leja e rrënimit si dhe lëshohet leja e ndërtimit. Të gjitha dokumentacionet e kërkuara sipas ligjit në fuqi investitori i ka dhe ne si Inspektorat i kemi bërë procesverbalet, kemi konstatuar se investitori është i pajisur me leje ndërtimi dhe rrënimi dhe investitori është duke respektuar të gjitha lejet e lëshuara nga urbanizmi”, ka thënë Islam Ukimeri, drejtor i Urbanizmit.

Sipas drejtorit të Urbanizmit, nga Inspektorati për Trashëgimi Kulturore është kërkuar që të anulohet leja e ndërtimit, por drejtoria e urbanizmit do të ndjekë procedurat për ankimim. Investitori që vjen nga Maqedonia e Veriut, nuk pranoi të deklarohet, por pretendon se po zbaton rregulloren dhe ligjin në fuqi të Republikës së Kosovës.

Go to TOP