LDK Vushtrri kundër marrëveshjeve që bien ndesh me Statutin e partisë

Kryesia e Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Vushtrri ka dalë me një qëndrim të qartë kundër çdo marrëveshjeje politike që nuk përputhet me Statutin e partisë dhe me vendimet e Kryesisë Qendrore të LDK-së.

Deputetja e LDK-së, njëherësh anëtare e Kryesisë Qendrore dhe nënkryetare e Degës në Vushtrri, Rrezarta Krasniqi, ka bërë të ditur se së bashku me ish-kryetarin e Degës, dr. Hysni Gërguri, ka zhvilluar një takim me strukturat lokale të partisë për të analizuar situatën politike të krijuar në prag të balotazhit zgjedhor.

Sipas Krasniqit, nga takimi doli një qëndrim i bashkuar se çdo veprim apo marrëveshje që bie ndesh me Statutin e LDK-së dhe me vendimet e Kryesisë Qendrore është i papranueshëm dhe nuk përfaqëson Degën e LDK-së në Vushtrri.

“LDK në Vushtrri nuk i nënshtrohet pazareve politike, as marrëveshjeve të bëra në kundërshtim me interesin e qytetarëve. LDK do të jetë gjithmonë në mbrojtje të interesave të qytetarëve të Vushtrrisë, të zhvillimit e të dinjitetit të saj, jo pjesë e kalkulimeve që dëmtojnë qytetin tonë dhe strukturat tona,” theksoi ajo.

Në fund, Krasniqi ka përsëritur se LDK në Vushtrri “qëndron fuqishëm për qytetarët, për Vushtrrinë dhe për Kosovën”. /Kosova.info/


Go to TOP