LDK: Kuvendi dështon për herë të tretë – Vetëvendosje nuk i ka numrat për të qeverisur
Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar pas dështimit të tretë radhazi për konstituivin e Kuvendit të Republikës së Kosovës duke e cilësuar këtë si dëshmi të qartë se Lëvizja Vetëvendosje nuk ka shumicën e nevojshme parlamentare për të formuar institucionet e reja të vendit.
Në deklaratën për media, LDK thekson se edhe përpjekja e dytë për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit ka përfunduar pa sukses duke argumentuar se “as pazaret politike e as shkeljet procedurale nuk mund të zëvendësojnë legjitimitetin demokratik dhe vullnetin real të deputetëve të zgjedhur nga qytetarët.”
LDK-ja ka riafirmuar pesë pika kryesore të qëndrimit të saj:
1. Pranimi i dorëheqjeve verbale nga ministrat e zgjedhur deputetë ka hapur rrugë për konstituivin formal të Legjislaturës së IX, por jo për manipulime procedurale;
2. LDK nuk do të marrë pjesë në asnjë proces që cenon rendin kushtetues, procedurat demokratike dhe vullnetin e lirë parlamentar;
3. Çdo zyrtar qeveritar që ka bërë betimin si deputet dhe ka vazhduar të marrë vendime ekzekutive pas 27 marsit, sipas LDK-së, po e shkel ligjin dhe duhet të hetohet penalisht;
4. Sipas kësaj partie, pavarësisht përpjekjeve për të ndikuar mbi vullnetin e deputetëve, e vërteta është e qartë: Vetëvendosje nuk ka shumicën dhe nuk mund ta fshehë këtë fakt me “akrobaci procedurale” dhe
5. LDK përkujton se asnjë qeveri nuk mund të funksionojë pa minimalisht 61 vota dhe çdo përpjekje për të qeverisur pa këtë shumicë është shkelje e demokracisë.
Në përmbyllje, Lidhja Demokratike e Kosovës bën thirrje për stabilitet institucional dhe respektim të plotë të Kushtetutës dhe ligjit duke u zotuar se do të mbetet zëri i ligjshmërisë dhe përgjegjësisë në shërbim të qytetarëve të vendit. /Kosova.info/
