LDK kundërshton pjesëmarrjen e Bislimit në dialog: Pa mandat legjitim, marrëveshjet nuk obligojnë Kosovën

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka reaguar pas takimit trepalësh të zhvilluar sot në Bruksel ndërmjet zëvendëskryeministrit në detyrë Besnik Bislimi, kryenegociatorit serb Petkoviç dhe emisarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen.

Përmes një reagimi për media, LDK thekson se Besnik Bislimi nuk ka asnjë mandat legjitim për të përfaqësuar Republikën e Kosovës në këtë proces, pasi mandati i qeverisë së kaluar ka përfunduar me certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve të 9 shkurtit.

“Z. Bislimi është vetëm ushtrues detyre, pa legjitimitet demokratik dhe pa miratim parlamentar për të marrë vendime në procesin e dialogut”, thuhet në reagimin e LDK-së.

Sipas kësaj partie, negociatat me Serbinë janë çështje të interesit të lartë shtetëror dhe nuk mund të zhvillohen nga një qeveri në detyrë. Ajo e cilëson si të papranueshëm, antikushtetues dhe joligjor çdo përpjekje për të futur Kosovën në obligime ndërkombëtare pa një mandat të ri dhe të qartë.

“Çdo marrëveshje apo angazhim eventual i ndërmarrë në këtë fazë nuk do të prodhojë obligime për Kosovën”, thekson më tej LDK.

Në përfundim, kjo parti kërkon respektimin e rendit kushtetues dhe të vullnetit të qytetarëve të shprehur në zgjedhje duke ritheksuar se dialogu duhet të vazhdojë vetëm me institucione të reja, të dala nga zgjedhjet, me mandat të qartë dhe përfaqësim të plotë. /Kosova.info/


Go to TOP