LDK kërkon komisionin hetimor parlamentar për kontratat një burimore të Qeverisë

Lidhja Demokratike e Kosovës ditëve të fundit ka ngritur me shqetësim fenomenin e kontratave direkte të Qeverisë së Kosovës. Vetëm në këtë mandat ky subjekt thotë se kane zbuluar 781 kontrata njëburimore të nivelit qendror në vlerë prej 209 milionë euro. Për këtë fenomen shqetësues, LDK kërkoi përballje në Kuvend, të cilës pushteti i iku. Ky subjekt thekson se tani Qeveria po shfrytëzon mekanizma tjerë propagandues përmes ndërmarrjeve publike që kontrollohen nga eksponentë të Lëvizjes Vetëvendosje.

“ Kjo u dëshmua dhe me reagimin e fundit të Telekomit të Kosovës. Ky reagim, në tentativë që të demantojë informacionin zyrtar të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, në vend se të sqaroj të gjitha rrethanat e 21 milion eurove të kontraktuara direkt, zgjodhi të merret me nënkryetaren e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami”, thekson LDK.

Nënkryetarja Bajrami ka deklaruar në Kuvend se sipas Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, në mesin e 781 kontratave me negocim direkt, në Telekomin e Kosovës figurojnë 28 kontrata të tilla në vlerë prej 21,310,000 EUR nga marsi i vitit 2021 deri në janar të vitit 2024. Vërtetësinë e këtij fakti thuhet se mund te konfirmohet lehtësisht në listën e KRPP.

“Qeveria e Kosovës dhe menaxhmenti i Telekomit obligohen të japin llogari për këto kontrata dhe të sqarojnë nëse janë ndjekur procedurat ligjore të prokurimit publik për secilën. Rritja e numrit të kontratave direkte gjatë këtij mandati është shqetësuese për shkak të mundësive të keqpërdorimit të parasë publike”, thekson LDK.

Prandaj, Lidhja Demokratike e Kosovës ka kërkuar themelimin e komisionit hetimor parlamentar për të gjitha kontratat direkte të kësaj qeverie. Ne do t’i shfrytëzojmë të gjitha mekanizmat institucional ligjor e kushtetues deri në zbardhjen e të gjitha rasteve ku ka dyshime për keqpërdorim. Njëkohësisht, kërkojmë nga pushteti që të mos i shfrytëzoj ndërmarrjet publike si mjete për propaganda partiake, por të përballet me ne aty ku e ka vendin – në Kuvend. /Kosova.info/

https://docs.google.com/spreadsheets/d/1ZsQNET0D68FE_-W4eeCwvWU-VK0rqryX/edit?pli=1#gid=2071631098

Go to TOP