LDK dega në Zvicër: Mbështetje e fuqishme për Abdixhikun – Asnjë bashkëpunim me Vetëvendosjen
Dega Perëndimore e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Zvicër ka dalë me një deklaratë të fuqishme përkrahëse për kryetarin e partisë, Lumir Abdixhiku dhe Grupin Parlamentar të LDK-së në Kuvendin e Kosovës.
Në deklaratë theksohet mbështetja e palëkundur për qëndrimin e udhëheqjes së partisë për të mos hyrë në asnjë formë bashkëpunimi apo negociatash me Lëvizjen Vetëvendosje, pavarësisht rrethanave politike.
“Qëndrimi ynë është i prerë: LDK nuk duhet të pranojë kurrfarë bashkëpunimi me një subjekt që ka dëshmuar qasje adoleshente dhe jo serioze në raport me interesat shtetërore dhe institucionale të Republikës së Kosovës,” thuhet në reagimin zyrtar të degës.
Sipas tyre, vetëm përmes koherencës politike dhe ruajtjes së integritetit të LDK-së mund të ndërtohet një alternativë serioze për të ardhmen e vendit. Ky qëndrim, siç u theksua, është dakorduar nga strukturat në diasporë dhe paraqet reflektim të besimit dhe përkushtimit të anëtarësisë në mbështetje të kursit aktual politik të partisë.
Deklarata e Degës Perëndimore në Zvicër vjen në një kohë të rëndësishme për skenën politike në Kosovë, ku rikonfirmimi i vijës së qartë të ndarjes mes LDK-së dhe VV-së forcon pozicionin e opozitës si alternativë serioze në zgjedhjet e ardhshme. /Kosova.info/
