LBK: Raporti i Bankës Botërore konfirmon përkeqësimin e klimës ekonomike në Kosovë – kërkohet reagim urgjent

Lidhja e Bizneseve të Kosovës (LBK) ka reaguar pas publikimit të raportit më të fundit të Bankës Botërore “Perspektivat Ekonomike Globale” (qershor 2025) duke theksuar se shqetësimet e saj të vazhdueshme për përkeqësimin e klimës ekonomike në Kosovë tashmë janë realitet i konfirmuar ndërkombëtarisht.

Në deklaratën e LBK-së thuhet se, “shqetësimet tona për përkeqësimin e klimës ekonomike nuk janë më paralajmërime – janë realitet i konfirmuar nga Banka Botërore. Sot, më shumë se kurrë, kërkohet veprim i menjëhershëm, vizion i qartë dhe partneritet i sinqertë ndërmjet shtetit dhe biznesit. Nëse ekonomia bie, bien të gjithë!”.

Raporti i Bankës Botërore rishikon në ulje projeksionet për rritjen ekonomike të Kosovës duke sinjalizuar një periudhë të brishtë dhe me sfida të mëdha për qëndrueshmërinë makroekonomike. Pas një parashikimi për rritje 4.4% në vitin 2024, ekonomia e Kosovës pritet të ngadalësohet në 3.8% për vitet 2025, 2026 dhe 2027 – në linjë me trendin global të rënies së aktivitetit ekonomik për shkak të pasigurive ndërkombëtare dhe faktorëve gjeopolitikë.

LBK thekson se ky ngadalësim përkon me një klimë gjithnjë e më sfiduese për sektorin privat duke përmendur si shqetësim vendimet e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), përfshirë rritjen e tarifave të energjisë elektrike dhe ndërhyrjen në tregun e lirë të energjisë, si dhe paralajmërimet për rritjen e tatimit në pronë nga janari i vitit 2026 me mbi 270%.

Sipas LBK-së, këto masa po i vendosin barrë të rëndë ndërmarrjeve vendore, veçanërisht sektorit prodhues, dhe po ndërmerren në mungesë të reformave fiskale të thella dhe strategjive të mirëfillta për zhvillim ekonomik afatgjatë.

Në këtë kontekst, LBK apelon për një qasje të integruar dhe të koordinuar ndërmjet institucioneve shtetërore dhe sektorit privat duke e konsideruar krijimin e një partneriteti të sinqertë dhe të qëndrueshëm si kusht për ruajtjen e stabilitetit ekonomik të vendit.

LBK paraqet katër kërkesa konkrete për qeverinë dhe institucionet përkatëse:

1. Pezullimin e menjëhershëm të vendimit të ZRRE për rritjen e tarifave të energjisë, të paktën deri më 1 janar 2027, për të lejuar një periudhë tranzicioni të arsyeshme për bizneset;

2. Hartimin e një strategjie gjithëpërfshirëse energjetike, në konsultim me komunitetin e biznesit, që balanson qëndrueshmërinë fiskale me zhvillimin ekonomik;

3. Shqyrtimin e vendimeve fiskale që ndikojnë drejtpërdrejt në klimën e investimeve dhe funksionimin e bizneseve prodhuese e tregtare;

4. Ndryshimin e legjislacionit për çështjet ekonomike, me qëllim krijimin e një mjedisi më të favorshëm për zhvillim dhe investime.

Në përmbyllje, LBK shpreh përkushtimin e saj për të qenë partnere aktive në procesin e politikëbërjes ekonomike dhe i bën thirrje institucioneve që të ndërtojnë një bashkëpunim të vërtetë, afatgjatë dhe transparent me sektorin privat – si themel për ruajtjen e stabilitetit makroekonomik dhe nxitjen e zhvillimit të qëndrueshëm të vendit. /Kosova.info/


Go to TOP