Latifi: Gjatë ditës kam nënshkruar vendimin për pagesat e kujdestarive të specializantëve

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi ka nënshkruar gjatë ditës së sotme vendimin për pagesat e kujdestarive për specializantët. Ai ka premtuar që gjatë këtij mandati do të ndërtojnë Qendrën për Trajtimin e Traumës dhe se do të bëjnë akreditimin e procesit të edukimit të specializantëve.

Në raportimin para anëtarëve të Komisionit për Shëndetësi, anëtarët e komisionit kanë kritikuar atë për listat e pritjeve të gjata për operacione dhe procedura diagnostikuese. Latifit i është kërkuar edhe shkarkimi i bordit të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK).

Gjatë raportimit para anëtarëve të komisionit, ministri Rifat Latifi tha se ka krijuar një grup të ekspertëve për hartimin e Ligjit për Shëndetësi, ku u shpreh se gjatë vitit do të përfundojë.

Në raportimit e ministrit prej më shumë se dy orëve, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj ka folur edhe për listën esenciale, ku tha se me buxhetin aktual nuk ka mundësi që të përmirësohet kjo gjendje.

“Hap tjetër që do të ju pengojë, është që nuk kemi shtete dhe qendra jashtë Kosovës, që ministritë paraprake kanë nënshkruar marrëveshje që t’i dërgojmë studentët e specializuar tanë në specializime shtesë. Ka marrëveshje me institucionet të cilat nuk punojnë asgjë më shumë se sa ne që punojmë këtu. Nëse e keni në plan që këta studentë ose mjekët e rinj që janë në programet post-dok t’i dërgoni në shtetet e rajonit, mendoj mos u lodhni. Nuk kemi nevojë për mjekësi rajonale. Kosova ka nevojë për avancim real, jo për avancim me letra. Këtë duhet ta bëni me një marrëveshje të sigurt”, ka thënë Dreshaj.

Edhe për kryetaren e Komisionit për Shëndetësi, Fatmire Kollçaku-Mullhaxha problemet kryesore janë specializimet, meqë sipas saj, të rinjtë po pengohen për avancim.

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi u zotua se gjatë këtij mandati, do te bëjnë akreditimin e procesit të edukimit të specializantëve dhe ndërtimin e Qendrës së Traumës.
“Asgjë nëse nuk mundemi të bëjmë në këtë mandat, akreditimin e procesit të edukimit të specializantëve edhe ndërtimin e Qendrës së Traumës, që do të thotë trauma me kujdesin intensiv edhe me emergjencë do ta bëjmë”, është zotuar ministri Latifi.

E, anëtari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu theksoi se MSh duhet të shkarkojë bordin e ShSKUK-së.
“Listat e pritjes së pacientëve për operacione janë rritur me bordin aktual të ShSKUK-së, për më keq lista e pritjeve është rritur edhe për procedurat diagnostikuese. A ka i nderuar ministër ndonjë llogaridhënie nga bordi, pasi ai i përgjigjet Ministrisë së Shëndetësisë? Më intereson të dijë a do të vazhdoni me këtë bord të dështuar, që ka vënë në lajthitje jo vetëm pacientët dhe profesionistët shëndetësor, por i ka lajthitur edhe krerët e shtetit kur e ka prerë shiritin, gjashtë muaj më parë për spitalin e fëmijëve. I cili spital kur i është prerë shiriti, as nuk ka qenë i pranuar në aspektin teknik dhe as nuk ka pasur leje për përdorim, që nuk e ka as sot”, ka deklaruar Haxhiu në Komisionin për Shëndetësi.

Në lidhje me këtë, ministri i Shëndetësisë premtoi se gjatë këtij muaji do të hapet spitali i fëmijëve. Ai është përgjigjur edhe për bordin e ShSKUK-së.

Unë e kam përsipër vet me udhëheq atë proces edhe po shkon shumë mirë. Unë jam shumë optimist se në këtë muaj do ta hapim atë spital. Kështu që mos të them sikur për vaksinat, nëse e merr dikush unë iku prej këtu. Por, besoj që do të bëhet, raportet teknike kanë qenë dje edhe sot. Besoj që kjo punë do të bëhet… Për çështjen e bordit, ne jemi duke e analizuar. Unë nuk mund të them se çfarë do të bëjë nesër me bordin, me drejtorin e bordit. Kryesisht na duhet të merremi me rregullimin e statutit të ShSKUK-së”, ka vijuar Latifi me deklarimin para anëtarëve të komisionit.

Sa i përket listës së pritjeve, Latifi tha se në Klinikën Ortopedike, ku janë edhe pritjet më të gjata, kjo po ndodhë për shkak të mungesës së sallave dhe materialeve.
“Lista e pritjeve është një problem shumë i madh. Janë disa degë klinike ku lista është më e madhe, disa janë më të vogla. Me listë të pritjes prin Ortopedia. Prin për dy tre degë subklinike, protezat e gjurit. Në vitin 2018 kanë qenë 306, në 2019 kanë qenë 299, në 2020 kanë qenë 103, ndërsa në vitin 2021 kanë qenë 255. Shkaqet janë të ndryshme, e para është mungesa e sallave të operacionit të mjaftueshme në Klinikën e Ortopedisë, e dyta është edhe mungesa e materialeve që këto nuk janë të lira në realitet. Por fatkeqësisht po bëhen edhe më të shtrenjta kur shkojnë pacientët jashtë në spitale”, tha Latifi.

I zëshëm për çështjen e specializantëve ka qenë edhe deputeti Burim Meta, i partisë “Guxo”.

“Ministër nuk e di a e dini që ekziston një udhëzim administrativ për specializantët në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë. A e dini? Dhe është një nen dhe një pikë. Meqë jemi te specializantët, ju keni target shumë të madh të specializantëve, fuqizimin e tyre, kthimin e tyre, nuk po ua paguani kujdestaritë i nderuar ministër. E dini që ekziston edhe një kontratë kolektive nga ish-ministri në raport me sindikatat. As këtë nuk je duke e zbatuar, ministër i nderuar në raport me specializantët”, i tha ai ministrit Rifat Latifi.

Por, Latifi tha se gjatë ditës ka nënshkruar vendimin për pagesën e kujdestarisë së specializantëve.

“Sot e kam nënshkruar këtë udhëzim administrativ. Më të parën punë që e kam bërë sot në zyrën, e kam nënshkruar këtë vendim. MSh me rregullat e të kaluarës i paguan specializantët vetëm dy kujdestari në muajt. Por, ato është dashur të jenë prej kësaj dite deri në të enjten. Me rekomandimin e bordit për specializime ne e kemi shtyrë këtë, që ta bëjmë në gjitha ditët. I paguan Ministria e Shëndetësisë, pavarësisht se cilën ditën ata janë kujdestarë”, ka deklaruar Rifat Latifi.

Para fillimit të raportimit në këtë komision, ministri i Shëndetësisë është kritikuar për vonesën. Komisioni ishte paraparë të fillojë në orën 10:00, ku më pas është shtyrë për një orë pas mbledhjes së qeverisë. Por, edhe më pas Latifi është vonuar për raportim, ku anëtarët opozitarë ka thënë se kjo është e paarsyeshme dhe mungesë e përgjegjësisë.

Go to TOP