Lani: Asnjëherë më i sulmuar se në kohën e LVV-së – S’e lë gazetarinë pa ua nxirë jetën do-do-ve!
Gazetari i njohur Arsim Lani ka shpërthyer me një reagim të drejtpërdrejtë ndaj sulmeve e etiketimeve që thotë se i ka përjetuar gjatë katër viteve të fundit, nën qeverisjen e Lëvizjes Vetëvendosje.
Në një postim të ngarkuar me ironi e revoltë, Lani ka thënë se megjithëse ka punuar gjatë në gazetari dhe ka përcjellë të gjitha pushtetet që janë ndërruar në Kosovë, asnjëherë nuk është ndier më i sulmuar se në këtë periudhë të fundit.
“Kam prit e përcjellë të gjitha pushtetet që janë ndërruar në Kosovë. Por kurrë më shumë se këto katër vitet e qeverisjes së LVV-së, nuk kam qenë më i sulmuar, fyer e etiketuar,” shkroi ai.
Lani pranoi se për një moment ka menduar edhe të heqë dorë nga gazetaria, por me humor shtoi: “Hajgare more, po ku largohem unë nga gazetaria, të paktën jo pa ja nxi jetën do-do-ve.”
Deklarata e tij vjen në kohën kur liria e mediave në Kosovë është në rënie të lirë sipas raportit të fundit ndërkombëtar duke ngritur shqetësime serioze për presionin dhe fyerjet ndaj gazetarëve kritikë. /Kosova.info/
