Lama kritikon Baljen: Vota për qeverinë nuk duhet kushtëzuar me kërkesa për privilegje
Ish-deputetja dhe diplomate, Alma Lama, ka reaguar ashpër ndaj kërkesës së deputetes Duda Balje për krijimin e një komune të re për komunitetin boshnjak si kusht për votën e saj në formimin e qeverisë së ardhshme.
Sipas Lamës, kjo kërkesë është e pabazuar dhe përfaqëson një formë të papranueshme shantazhi politik. Ajo thekson se minoritetet në Kosovë janë të mbireprezentuara në Kuvend duke përfituar 17% të ulëseve, ndonëse përbëjnë vetëm 6-7% të popullsisë.
“Duda Balje nuk mjaftohet me faktin që ajo dhe pakicat e tjera kanë vende të rezervuara në Parlament dhe zgjidhen me nga 100 apo 200 vota, por kërkon më shumë pushtet e privilegje,” ka deklaruar Lama.
Ajo ka bërë thirrje që çdo politikan që synon të krijojë qeverinë ta refuzojë këtë lloj kushtëzimi duke theksuar se kërkesat për komunat e reja duhet të bazohen në nevoja reale dhe qëndrueshmëri financiare, jo në pazare politike.
“Komunat si Novobërda, Graçanica, Mamushë dhe ato në veri janë krijuar si kompromise për statusin, por nuk i plotësojnë as standardet minimale për të funksionuar si komuna,” ka shtuar Lama duke e përmbyllur reagimin e saj me një thirrje për rishqyrtim të thellë të mënyrës së përfaqësimit të minoriteteve dhe respektim të barazisë pa privilegje të veçanta.
Ky reagim vjen në një moment kur bisedimet për krijimin e qeverisë së re janë në faza të ndjeshme dhe kur votat e minoriteteve mund të jenë përcaktuese për shumicën parlamentare. /Kosova.info/
