Kush po e bllokon votimin e buxhetit në Prishtinë?

Kuvendi komunal i Prishtinës ende nuk ka arritur ta kalojë buxhetin për vitin 2025, i cili kap shifrën e rreth 128 milionë eurove. Në një deklarim të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, të para disa ditëve, ai akuzoi opozitën për bllokim. Derisa nga opozita thonë se është pozita ajo që po e bllokon votimin, duke adresuar kritika se në seancën e fundit ku do të diskutohej për buxhetin, pushteti komunal nuk mori pjesë.

Qeverisja komunale në kryeqytet, ende nuk po arrin t`i sigurojë votat e mjaftueshme për votimin e buxhetit për vitin 2025.

Në një deklarim të para disa ditëve, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, akuzoi opozitën për bllokim.

“I bëj thirrje opozitës që të jenë konstruktiv e jo destruktiv, sepse nuk ka asnjë arsye që asamblistët e opozitës ta konpromitojnë zhvillimin dhe transformimin e kryeqytetit nëpërmjet bllokadave të ndryshme”, ka thënë Rama.

Nga opozita thonë se është vetë pozita në krye me kryetarin Rama, që po e bllokon votimin e buxhetit, pasi nuk mori pjesë në seancën e fundit ku në rend dite ishte buxheti.

“Dy herë opozita ka pasë vërejtje, të cilat i ka bërë publike edhe në seancë, mirëpo edhe përmes mediave. Herën e tretë nuk ka ardhë pushteti farë në mbledhjen të cilët vet e ka ftu. Nuk ka pasë ndonjë lëvizje në këtë drejtim, në draftin e fundit që e kemi marrë për buxhetin për vitin e ardhshëm nuk ka pasë asnjë reflektim dhe asnjë ndryshim nga draftet paraprake, gjë që ka ka bërë neve si Levizje Vetëvendosje të mendojnë se zoti Rama nuk është i gatshëm që të bëjë ato që i kemi kërkuar ne, në mënyrë që ta votojmë buxhetin”, deklaroi Gëzim Sveçla, shef i asamblistëve të VV-së në Prishtinë.

Nga PDK në Prishtinë thanë se për ta votuar këtë buxhet, duhet të merret parasysh ajo që kanë përsëritur vazhdimisht, që sipas tyre, është që buxheti të hartohet në përputhshmëri me nevojat e qytetarëve.

“Ashtu siç e keni parë edhe në seancën e kaluar të thirrur nga vet kryetar Rama dhe ekzekutivi, ku në pikat e rendit të ditës ishte edhe projektbuxheti i vitit 2025, e ku për çudi as vet kryetari Rama as ekzekutivi, e as partia e tij nuk morrën pjesë në at seancë, kjo tregon më së shumti qasjen dhe seriozitetin e kryetarit Rama dhe ekzekutivit, seriozitetin në raport me tema vitale siç është buxheti i kryeqytetit” tha Granit Geci, asamblist i PDK-së në Prishtinë.

Buxheti i paraparë për vitin 2025 kap shifrën e rreth 128 milionë eurove, derisa nuk dihet se kur do të thirret seanca e radhës, që në rend dite do ta ketë këtë pikë.

Go to TOP