Kurti uron gjeneratën e re të policisë: Po i bashkoheni një kategorie të veçantë institucionale
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar solemnisht gjeneratën e 61-të të Policisë së Kosovës duke theksuar rëndësinë e rolit të tyre në shërbim të vendit.
Në ceremoninë e diplomimit, Kurti i ka përshëndetur të diplomuarit e rinj, duke i ftuar të marrin përsipër detyrën e mbrojtjes së ligjit dhe të qytetarëve.
“Ka shumë mënyra për t’i shërbyer vendit, por nuk ka rrugë më të drejtpërdrejtë sesa të veshësh uniformën policore,” u shpreh Kurti.
Ai theksoi se me këtë diplomim, të rinjtë po i bashkohen një kategorie të veçantë institucionale që ka për detyrë të mbajë rendin dhe të sigurojë drejtësinë.
Kryeministri Kurti vlerësoi përbërjen e kësaj gjenerate, duke theksuar se ajo pasqyron diversitetin e shoqërisë kosovare. Me 462 anëtarë, prej të cilëve 56 janë gra dhe 79 serbë, 21 boshnjakë e të tjerë kjo gjeneratë demonstron angazhimin për të ndërtuar një polici më inkluzive dhe reprezentative.
“Struktura gjinore dhe etnike e kësaj gjenerate tregon edhe vetë strukturën e shoqërisë sonë dhe politikën tonë,” u shpreh Kurti duke shtuar se kjo shpërfaq suksesin e integrimit të komuniteteve jo shumicë në institucionet e sigurisë.
Kurti theksoi se qeveria e ka prioritet forcimin e Policisë së Kosovës. Në katër vitet e fundit, janë diplomuar mbi 2475 policë të rinj, duke tejkaluar qëllimin e fillimit për 2000 policë të rinj. Ky investim, sipas Kurtit, ka për qëllim të përmirësojë sigurinë dhe të ofrojë shërbime më cilësore për qytetarët.
“Në Policinë e Kosovës shërbejnë 1 mijë e 247 vajza dhe gra me grada të ndryshme, kurse nga sot po bëhen 1 mijë e 303 zyrtare policore,” tha Kurti duke theksuar rritjen e numrit të femrave në polici.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se Policia e Kosovës është një nga shtyllat kryesore të shtetit duke garantuar sovranitetin dhe integritetin territorial të shtetit tonë.
Ndërsa presidentja Osmani u shpreh se “krenaria sot është jashtëzakonshme sepse atdheut tonë po i bashkohen edhe 462 gardianë që do t’i dalin zot atdheut tonë”.
Ajo tha se Policia e Kosovës është mburoja e paqes dhe lirisë.
Osmani potencoi se policët janë shtylla e parë e rendit dhe garantuesja e lirisë së secilit qytetar pavarësisht etnisë./Kosova.info/
