Kurti u takua me pronarin e grupit “Yıldırım” që vendosi gurthemelin për parkun e energjisë diellore

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim gjatë ditës pronarin e grupit “Yıldırım”, Robert Yüksel Yıldırım. Prezent në takim ishte dhe ambasadori i Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angili.

Sot, Yıldırım Energy vendosi gurthemelin për parkun e energjisë diellore në mjediset e kompleksit Ferronikeli në Drenas. Kapaciteti fillestar i paneleve solare është mbi 54 MW, ndërsa plani është që të arrihet në një kapacitet prej 150 MW në total, deri në 2026.

Kryeministri Kurti vlerësoi objektivat që i bart ky projekt, i cili përkon me angazhimin e synimet tona drejt tranzicionit në energjinë e ripërtërishme. Në vijim, biseda u fokusua rreth mundësive dhe potenciale për investime në Kosovë.

Duke i falënderuar për zgjedhjen e Kosovës si një prej shteteve ku kjo kompani ka zgjedhur të investojë, kryeministri Kurti i uroi punë të mbarë e suksese në iniciativat e tyre. /Kosova.info/

Go to TOP