Kurti: Qeveria Kurti 2 kalon në mandat kujdestar pas përfundimit të plotë të mandatit katërvjeçar

Kryeministri Albin Kurti ka njoftuar se Qeveria e Republikës së Kosovës ka përfunduar mandatin e saj të plotë katërvjeçar dhe ka hyrë në fazën kalimtare si qeveri në detyrë. Ky është rasti i parë në historinë e Kosovës që një qeveri e përfundon mandatin kushtetues pa u rrëzuar apo dorëhequr.

Në një komunikim zyrtar, Kurti theksoi se mandati i secilit anëtar të kabinetit qeveritar ka përfunduar më 23 mars 2025, në përputhje me Ligjin për Qeverinë. Megjithatë, ai sqaroi se qeveria dhe ministrat e saj do të vazhdojnë të ushtrojnë funksionet e tyre në përputhje me kufizimet e përcaktuara në Kushtetutë dhe legjislacionin në fuqi, deri në formimin e ekzekutivit të ri nga Kuvendi.

“Qeveria jonë, e njohur si Kurti 2, do të ushtrojë të gjitha përgjegjësitë e ekzekutivit duke garantuar vazhdimësinë, sigurinë dhe funksionimin e pandërprerë të shtetit,” deklaroi Kurti.

Ky zhvillim vjen në një periudhë të rëndësishme për Kosovën, ndërsa vendi po përgatitet për zgjedhjet e reja dhe formimin e një qeverie të re. /Kosova.info/


Go to TOP