Kurti përvjetëron sulmin në Ibër Lepenc: Republika triumfoi mbi grupet ekstremiste serbo-ruse
Kryeministri Albin Kurti ka kujtuar sot përvjetorin e sulmit terrorist ndaj akuaduktit të Ibër Lepencit në Varagë të Zubin Potokut, të ndodhur një vit më parë rreth orës 19:00. Ai e ka cilësuar këtë akt si sulmin e parë të drejtpërdrejtë ndaj infrastrukturës kritike të Kosovës dhe të dytin radhazi nga aktorë të jashtëm pas ngjarjeve të Banjskës në vitin 2023.
Sipas Kurtit, shpërthimi me eksploziv kishte dëmtuar rëndë pjesën fundore të akuaduktit duke rrezikuar furnizimin me ujë për mijëra konsumatorë, si dhe Termocentralin “Kosova B”, prej të cilit varet stabiliteti energjetik i vendit. Qëllimi, siç thotë ai, ishte ulja për 60% e kapaciteteve të prodhimit të energjisë, ndërprerja e ujit për Mitrovicën, Skenderajn, Drenasin, Vushtrrinë, Fushë Kosovën dhe gjysmën e Prishtinës, si dhe goditja e shërbimeve të ngrohtores qendrore e të rrjetit telekomunikues në vend.
Kurti theksoi se reagimi institucional ishte i menjëhershëm dhe vendimtar duke parandaluar pasojat katastrofike që synonte sulmi. Përkundër dëmtimit të rëndë, gjatë gjithë procesit të riparimit u sigurua rrjedhje e mjaftueshme e ujit për ftohjen e termoelektranave dhe për furnizimin me ujë të pijshëm të komunave të prekura.
Ai vuri në pah se akuadukti u rindërtua në vetëm një muaj, me rikthimin e sistemit në kapacitet të plotë operativ-aftësi që sipas tij dëshmoi profesionalizmin e ndërmarrjeve publike dhe efikasitetin e institucioneve shtetërore.
Kryeministri akuzoi hapur Beogradin zyrtar dhe Moskën për mbështetje dhe inspirim të grupeve ekstremiste të përfshira në sulm. Ai kujtoi se bastisjet në veri pas ngjarjes rezultuan me konfiskimin e armëve, uniformave, pajisjeve si dhe emblemave ruse e serbe të strukturave të inteligjencës dhe sigurisë, të cilat i cilësoi si prova të qarta të përfshirjes së grupeve terroriste serbo-ruse.
“Shteti dhe Republika triumfuan përsëri,” përfundoi Kurti duke theksuar se sulmi i Ibër Lepencit ngjasonte me taktikat e përdorura nga Rusia kundër rrjetit energjetik të Ukrainës. /Kosova.info/
