Kurti: Nuk ka dyshim që gjenocidi i Serbisë njihet edhe botërisht, drejtësia të veprojë me ngulm që përgjegjësit të dënohen
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka përkujtuar sot 23 vjetorin e Masakrës së Rezallës.
Bashkë me Komandantin e FSK-së, gjenerallejtënantë, Bashkim Jashari si dhe ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj, Kurti ka vendosur lule tek lapidari dhe varrezat e martirëve të kësaj masakre.
Kryeministri Kurti deklaroi se 98 burra dhe djem u grumbulluan dhe u ekzekutuan nga forcat serbe dhe vetëm tre kanë shpëtuar dhe kjo kishte ndodhur rastësisht.
“Vendosëm lule të freskëta këto tek lapidari dhe varrezat e këtyre martirëve të kombit të cilët u pushkatuan mizorisht vetëm për shkak se ishin shqiptarë dhe dëshironin të jetojnë të lirë në trojet e tyre stërgjyshore. 98 burra dhe djem u grumbulluan dhe ekzekutuan nga forcat serbe dhe vetëm tre që kanë shpëtuar kjo iu ka ndodhur rastësisht. Qëllimi ishte të mos e lënë asnjë të gjallë, andaj kjo masakër është dëshmi e gjenocidit të Serbisë në Kosovë.”,deklaroi Kurti.
Tutje Kurti tha se para disa muajve në territorin e Serbisë ishin gjetur kufomat e disa prej këtyre martirëve të masakrës në Rezallë.
“Kufomat e nëntë martirëve të masakrës meqenëse pas pushkatimit, ekzekutimit ua patën marrë kufomat dhe ua patën dërguar në Serbi, e më pas ata u zbuluan në varrezat masive në Rudnicë dhe Kizhevakë. Me ekzekutim mizor dhe barbarë ua vodhën jetën, e më pas edhe kufomat.”, shtoi Kurti.
Kryeministri Kurti deklaroi se nuk ka dyshim se gjenocidi i Serbisë njihet edhe botërisht përpos neve shqiptarëve që e përjetuam, andaj edhe drejtësia vendore dhe ndërkombëtar duhet që me vonesë dhe me ngulm të veprojnë në mënyrë që përgjegjësit, urdhërdhënësit, ekzekutorët të gjykohen dhe dënohen.
“Lavdi gjithë dëshmorëve dhe martirëve të kombit.”,përfundoi ai.
