Industritë e automobilave në alarm, u mungon lënda e parë

Ekspertët e industrisë së automobilave i bënë thirrje BE-së që të kërkojë për tregje të reja dhe të nxisë industrinë e brendshme të nxjerrjes së metaleve kryesore.

Sektori i automobilave në Gjermani po përballej me shumë vështirësi që përpara pushtimit të Ukrainës nga Rusia.

Së pari, ai u ndikua nga pandemia e COVID-19 dhe nga mungesa globale e gjysmëpërçuesve.

Më vonë erdhi rritja e çmimeve të naftës, gazit dhe qymyrit, të cilat kanë vazhduar rritjen stratosferike që nga fillimi i luftës më 24 shkurt. Tani, një kërcënim i ri po vjen në formën e mungesave në furnizime dhe të rritjes së çmimeve për lëndët e tjera të para që vijnë nga Rusia dhe Ukraina.

Volkswagen, prodhuesi më i madh i makinave në Europë, tha se problemet kanë qenë “të dëmshme” dhe “të paqëndrueshme”, si dhe mund të duhet kohë derisa ato të zgjidhen.

“Nuk duhet nënvlerësuar kërcënimi për mungesën e furnizimit me lëndë të para për prodhuesit e makinave dhe furnizuesit e tyre,” tha për DW eksperti i industrisë së automobilave, Stefan Bratzel, nga Qendra e Menaxhimit të Automobilave (CAM). “Kjo do të sillte rritjen e çmimeve, kohë më të gjata pritjeje nga klientët për makinat e reja, si dhe ngadalësimin e rritjes së përdorimit të automjeteve elektrike”.

Gazi i neonit nga Ukraina për prodhimin e gjysmëpërçuesve

Ukraina është një nga furnizuesit më të rëndësishëm të neonit, një gaz fisnik që nevojitet për prodhimin e gjysmëpërçuesve, tha për DW Shoqata Gjermane e Industrisë Automobilistike (VDA).
Sikur të mos mjaftonte situata e përkeqësuar, në mbarë botën ka pasur mungesa të çipave për pothuajse të gjitha industritë.

“Këto lëndë të para do të bëhen edhe më të rëndësishme në të ardhmen,” tha një zëdhënëse e VDA.

Palladiumi dhe nikeli nga Rusia për kontrollin e emetimeve dhe bateritë

Paladiumi, i cili nevojitet për konvertuesit katalitikë në motorët me benzinë, importohet nga Rusia, së bashku me nikelin.

“Duke zënë 38% të tregut global, Rusia është furnizuesi i dytë më i rëndësishëm pas Afrikës së Jugut, e cila përbën 39% të tregut,” tha për DW Michael Schmidt nga Agjencia Gjermane e Lëndëve të Para (DERA).

Ai vuri në dukje se çmimi i paladiumit është rritur ndjeshëm që nga viti 2015. Në qershor të vitit 2021, ai arriti në mënyrë të përkohshme një nivel të lartë prej 2,900 dollarë (2,622 €) për ons troje (31,1 gram), më pas ra në rreth 1,800 dollarë, por u rrit përsëri pas shpërthimit të luftës në Ukrainë. Deri para pak ditësh, ҫmimi i tij ishte rreth 2,270 dollarë.

Është e vështirë të imagjinohet sesi problemet e mundshme të furnizimit me paladium nga Rusia mund të kapërcehen nga vendet e tjera prodhuese, paralajmëroi Schmidt. Ai tha se tregu i paladiumit “ka qenë në deficit për shumë vite”, një situatë e cila nuk ka gjasa të ndryshojë.

Përdorimi i paladiumit për sistemet e kontrollit të emetimeve në makinat me benzinë nuk ka gjasa të pakësohet, në ndryshim nga platini, i cili nevojitet për automjetet me naftë – popullariteti i të cilave sa vjen e po reduktohet.

Megjithëse mungesat e shkaktuara nga sanksionet kundër Rusisë mund të kompensohen nga stoqet ekzistuese, Schmidt tha se “kjo nuk mund të vazhdojë në planin afatgjatë, pasi prodhimi në Afrikën e Jugut nuk mund të rritet sipas dëshirës.”

Nikeli u bë shumë më i shtrenjtë

Ҫmimet u rritën në përmasa edhe më ekstreme për metalin e rëndë të nikelit, i cili nevojitet për aliazhet dhe për prodhimin e baterive me jone litiumi.

Me një ҫmim që varionte nga 20,000 dollarë deri në 25,000 dollarë për ton, nikeli arriti një vlerë prej më shumë se 100,000 dollarë pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia. Edhe pse çmimi i nikelit që atëherë ka rënë përsëri, analistët e këtyre produkteve presin që ai të shkojë në rreth 34,000 dollarë deri në mes të vitit.

“Në shkallë globale, Federata Ruse është prodhuesi i tretë më i madh i mineralit të nikelit”, tha Michael Szurlies nga Instituti Federal për Gjeoshkencat dhe Burimet Natyrore (BGR). “Mungesat e dërgesave nga Rusia do të prekin vetëm produktin e rafinuar të nikelit. Mungesat afatshkurtra të dërgesave janë përgjithësisht të vështira për t’u kompensuar.”/ DW

Go to TOP