Kurti në tryezën e ASK-së: Kosova ka nevojë për një regjistrim gjithëpërfshirës dhe cilësor

“Rezultatet e regjistrimit me karakteristikat e tyre që përfshijnë shtrirjen gjeografike të popullsisë, kushtet sociale, ekonomike, madhësinë e përbërjen e ekonomive familjare, nivelin e edukimit e të tjera, edhe për zonat e vogla ose nëngrupet e popullsisë janë shumë të nevojshme për hartuesit e politikave si dhe për institucionet qendrore ashtu edhe ato lokale me qëllim ofrimin e shërbimeve duke u bazuar në të dhëna”, kështu tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në tryezën me temë Regjistrimin e Popullsisë të organizuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës.

Andaj, duke e ditur rëndësinë e statistikave, para të pranishmëve, kryeministri Kurti tha se Qeveria e Kosovës që nga kalimi i Agjencisë së Statistikave në Zyrën e Kryeministrit në qershor të këtij viti, i ka kushtuar rëndësi të veçantë projektit të regjistrimit të popullsisë dhe në përgjithësi statistikave.

Ai shtoi se është angazhuar drejtpërdrejt si dhe ka kërkuar nga stafi i Zyrës së Kryeministrit që të kenë një koordinim të ngushtë dhe bashkëpunim me Agjencinë e Statistikave të Kosovës për një regjistrim të suksesshëm.

“Jam i njoftuar për shumë detaje dhe sfida që ka projekti i regjistrimit dhe kam shprehur gatishmërinë për të gjetur një rrugë e cila ndihmon projektin e regjistrimit dhe që regjistrimi si i tillë të jetë i suksesshëm”, u shpreh kryeministri.

Po ashtu, kryeministri Kurti vlerësoi se përfshirja e institucioneve lokale dhe atyre ndërkombëtare dhe rrugëtimi i përbashkët në një projekt të tillë të rëndësishëm garanton një regjistrim të suksesshëm, cilësor dhe gjithëpërfshirës dhe që do ta bënte regjistrimin të ishte storie e suksesit.

Me këtë rast, kryeministri tha se Qeveria e Kosovës, ka ndarë rreth 12 milionë euro për projektin e regjistrimit. /Kosova.info/

Go to TOP